Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi ka vizituar punonjësit e Policisë Bashkiake në pavionin e Spitalit të Traumës, të cilët mbetën të plagosur në protestën e sotme të opozitës.
Seferi tha se dëmtimet e efektivëve janë serioze dhe një pjesë e tyre kanë marrë edhe plagë djegie, si dhe i bëri thirrje qytetarëve që të distancohen nga akte të tilla të dhunshme dhe të mos bien pre e lojës politike.
"Sapo dola nga vizita që u bëmë efektivëve të Policisë Bashkiake, të cilët u plagosën nga protesta aspak qytetare që u bë sot para godinës së Bashkisë së Tiranës. Flakë, goditje me gurë, sende të forta, vendosje gomash nuk i shkojnë për shtat një qyteti evropian dhe rrugës për ku jemi nisur. Unë dua t’u bëj thirrje qytetarëve të Tiranës që të mbështesin Policinë Bashkiake në kryerjen e detyrës dhe funksioneve të saj. Policia Bashkiake është në shërbim të qytetarëve, siç u pa edhe sot pas atij sulmi të paprecedentë, me mjete të forta, me kokteile eksplozive, të cilat krijuan flakë në dyert e bashkisë gjatë kohës kur po Këshilli Bashkiak po zhvillonte punimet për marrjen e disa vendimeve shumë të rëndësishme për njerëzit në nevojë, për zhvillimin e qytetit të Tiranës dhe për vazhdimësinë e punës."





