TIRANE– Një nga trajnerët më të njohur në vend, Faruk Sejdini, ka pohuar se në futbollin shqiptar ka trukime. Në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport" Sejdini thekson se janë drejtuesit e klubeve personat që trukojnë ndeshjet, por sipas tij nuk duhet aluduar për trukime sa herë një skuadër paraqet formë të dobët fizike.
“Ajo çka unë ngulmoj në këtë rast, është se më së pari duhet që të bëjmë një diferencim mes trukimit dhe mosimpenjimit. Tjetër gjë kur pastaj e bën me vetëdije dhe këtu hyjnë në lojë drejtuesit e klubeve. Mendoj se te klube, të cilat drejtohen nga bashkitë, është shumë herë më i thjeshtë trukimi, pasi lojtarët ndihen më pak të mbrojtur nga faktorët e jashtëm. Pra të atyre njerëzve që interesohen për trukimin e ndeshjes”, – thekson Sejdini.
Duke analizuar situatën në të cilën ndodhet futbolli shqiptar dhe pamundësinë e Federatës për të luftuar e vetme trukimet Sejdiu nënvizon për “Panorama Sport” se zgjidhja e vetme do ishte përfshirja e Prokurorisë në këtë çështje.
“Unë gjykoj se edhe federata jonë e ka gati të pamundur që t’i luftojë trukimet e vetme. Federata nuk është Prokurori dhe nuk ka sesi ta bëjë këtë gjë dhe të ketë rezultate, pasi në të kundërt do të kishim pasur edhe ndonjë dënim. Unë mendoj se federata ka përgjegjësi direkte për ekipet kombëtare, U-17, U-19, U-21 dhe kombëtaren e parë, ndërsa për kampionatin mendoj se gjëja më e mirë do të ishte që si palë e interesuar për një futboll të pastër, të adresohej gjithnjë te Prokuroria. Vetëm ky institucion ka mundësi reale për të hetuar dhe, më pas, ngritur akuza. Shikoni Italinë, Gjermaninë, Greqinë, Turqinë. Nuk ka nevojë të bëjmë shpikje, mjafton të ndjekim shembullin e tyre”, – thotë Sejdini.
Sipas tij klubet shqiptare të ligës superiore nuk duhet të drejtohen vetëm nga një person. Sejdini rekomandon që një klub të ketë disa aksionarë dhe natyrisht vetëm një president. Bashkitë duhet të kenë përqindje tek aksionet e klubit, por jo më shumë sesa aksionerët e tjerë, pasi në të kundërt sipas tij klubi do të adresohej nga politika.