Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një konferencë për mediat ditën e sotme ka bërë të ditura vendimet e Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së.

Bazuar në këto vendime, norma bazë e interesit, norma e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë dhe norma e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, kanë mbetur të pandryshuara.

Më 3 Maj 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare. Pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%

të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 2.00%

të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 4.00%”-tha Sejko.

Ndër të tjera Sejko tha se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet dhe se inflacioni do shënojë rënie të vazhdueshme në vijim, duke u kthyer në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.

“Ekonomia shqiptare do vijojë të rritet dhe inflacioni do shënojë rënie graduale dhe do kthehet në objektiv në gjysmën e vitit 2024. Ky normalizim do krijojë një balancë më të mirë mes kërkesës dhe ofertës. Do mbështesë qëndrueshmërinë në tregje. Ritmi i rritjes pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë vitit 2023. Këshilli mbikëqyrës në BSH vendosi të mbajë të pandryshuar interesin bazë të normës së interesit në 3%. Presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten faktor rreziku për destabilizimin e çmimeve në vend”-tha Sejko.