Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha në një konferencë të dedikuar “Javës së Parasë” se edukimi financiar për të rinjtë është një element shumë i rëndësishëm.

Sipas tij, në këtë mënyrë ata marrin informacionin e duhur si duhet vepruar me paranë, kursimet dhe investimet.

Megjithatë, Sejko u ndal edhe te risia e kohëve moderne që është digjitalizimi. Ai u shpreh se Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet financiare po bëjnë një punë të konsiderueshme në mënyrë që transaksionet financiare të jenë sa më shumë digjitale dhe moderne.

“Do doja të informoja që ka një avancim, ka një progres të konsiderueshëm të transaksioneve financiare të kryera nëpërmjet kanaleve digjitale ose kartave. Kjo tregon që qytetarët shqiptarë gjithnjë e më shumë po ambientohen me transaksionet bankare në rrugë digjitale, me format moderne të pagesave dhe ky është një fakt pozitiv pasi ndikon jo vetëm në rritjen e formalizimit të ekonomisë, por njëkohësisht mbron edhe përdoruesit nga shmangia e cash-it, nga ulja e komisioneve, nga përfitueshmëria që sjell përdorimi i kanaleve digjitale”, tha Sejko.