Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s u mblodhën të enjten në Bruksel për të diskutuar marrëdhëniet në të ardhmen me Ukrainën, ndërsa agresioni rus është bërë pengesë për synimet e vendit për t’iu bashkuar aleancës. Ministrat morën pjesë gjithashtu në takimin e atij që njihet si Grupi i Kontaktit për Ukrainën, që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara e në përbërje të së cilit janë 50 vende. Grupi synon të grumbullojë sa më shumë armatime për Ukrainën.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u bëri thirrje të enjten aleatëve të Kievit të bëjnë të gjitha përpjekjet për të siguruar armë për Ukrainën, veçanërisht për mbrojtjen ajrore.
Duke iu drejtuar një takimi të ministrave të mbrojtjes, të vendeve anëtare të Grupi të Kontaktit, zoti Austin theksoi se Kievi ka nevojë për mbështetje afatshkurtër dhe afatgjatë.
“Forcat ukrainase kanë treguar trimëri dhe aftësi të jashtëzakonshme, lufta e Ukrainës është një maratonë, jo një sprint. Ndaj ne do të vazhdojmë t’i ofrojmë Ukrainës aftësitë për të përmbushur nevojat urgjente si dhe ato që i nevojiten për të garantuar siguri nga agresioni rus në plan afatgjatë. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, se ne do të qëndrojmë me Ukrainën për një kohë të gjatë”, tha ai.
Sekretari Austin vuri në dukje se grupi i kishte dhënë Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, IRIS-T dhe NASAMS. Por ai tha se Kievi kishte nevojë për më shumë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se mbështetja e aleancës për Ukrainën, ka sjellë ndryshime në fushën e betejës, ndërsa vendi ka nisur kundërofensivën ndaj Rusisë.
“Ajo që ne po shohim është një luftë e ashpër. Është ende herët, por megjithatë ne po shohim se ukrainasit po bëjnë përparim dhe se Ukraina është në gjendje të çlirojë tokën e pushtuar. Kjo për shkak të guximit, trimërisë dhe aftësive të ushtarëve ukrainas. Por gjithashtu thekson dhe demonstron se mbështetja që aleatët e NATO-s i kanë dhënë Ukrainës po sjell në fakt ndryshim në fushën e betejës”.
Zoti Stoltenberg i bëri komentet në fillim të një takimi dy-ditor të ministrave të mbrojtjes të aleancës në Bruksel, që diskutoi edhe mbi mundësitë për rritje të prodhimit në fushën e mbrojtjes. Takimi i NATO-s në Bruksel i paraprin takimit në nivel kryetarësh shtetesh që mbahet në Lituani, në një shfaqje simbolike të mbështetjes për Ukrainën, si dhe për të nënvizuar vendosmërinë për të vepruar nëse Presidenti rus Vladimir Putin përpiqet të zgjerojë luftën drejt Perëndimit.
Në vitin 2008 NATO ra dakord që Ukraina t’i bashkohej organizatës, por nuk caktoi një datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Me fillimin e luftës, Ukraina aplikoi më 30 shtator për “anëtarësim të përshpejtuar” në NATO.
Po Sekretari Stoltenberg ka thënë se nuk ka konsensus për anëtarësimin e vendit ndërsa lufta vazhdon. Megjithatë aleanca po përmirëson marrëdhëniet me Kievin. Komisioni aktual NATO-Ukrainë, do të shndërrohet në një Këshill NATO-Ukrainë, duke i dhënë Kievit një vend të barabartë në tryezë mes 31 aleatëve./VOA