Në seancën dëgjimore në Senat për konfrmimin si Sekretari i ri i Shtetit, Marco Rubio premtoi se do të zbatojë vizionin e Presidentit Trump duke vendosur interesat amerikane mbi gjithçka.

“Vendosja e interesave tona kombëtare mbi gjithçka tjetër nuk është izolacionizëm”, tha Rubio para Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit duke rikonfirmuar edhe rolin strategjik të SHBA si lider në NATO.

“Fakti që Presidenti Trump ka emëruar ambasadorin e ri në NATO dëshmon angazhimin e administratës së re ndaj saj. Ka patur një keqkuptim në deklaratat e Presidentit për Aleancën Veriatlantike. Për ne ka rëndësi që të kemi aleatë të aftë që të mbrojnë vetveten në shekullin e XXI përballë çdo agresioni. Deri tani ka patur mirëkuptim nga shtetet anëtare NATO që ato mund të kontribuojnë më shumë financiarisht për mbrojtjen sidomos nga shtetet e pasura të Evropës Perëndimore”.

Për Ukrainën, shefi i ri i diplomacisë amerikane theksoi se duhet një armëpushim i menjëhershëm në mënyrë që palët të bëjnë reciprokisht disa lëshime.