23 mars 2014 – Në një shkrim të botuar sot në gazetën “Dita” thuhet se takimi i shumëpritur mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha mund të realizohet ditën e nesërme. Takimi pritet të bëhet as më shumë e as më pak po në Gjirin e Lalzit, në vilën e Ilir Metës. Kreu i Kuvendit nesër feston ditëlindjen e tij të 45-të dhe duket se të pranishëm në festën që do të organizohet me këtë rast do të jenë edhe kryeministri i vendit, edhe lideri i PD-së.   

“Dy ditë më parë Meta bëri apel për një takim mes tyre, ndërsa dje edhe Rama i bëri një ftesë publike Bashës. Ndoshta dita e nesërme duket se do të jetë testi i parë i një shtrëngimi duarsh mes Bashës dhe Ramës? Të shohim! E sigurt është që ky Lalzi duhet të ketë ndonjë magji zanash: gjithë ndryshimet e mëdha politike, aty vendosen! Shpresojmë të mos u vejë s.b.-ja t’u dhj..së festën, siç bën me seancat në Kuvend. Dhe jo vetëm me to”,- shkruan gazeta “Dita”.

Kujtojmë se majin e vitit 2012, po në Gjirin e Lalzit u zhvillua një tjetër takim mjaft i rëndësishëm, i mundësuar nga “shkesi” Leonard Koka, vëllai i ministrit Lefter Koka. Në atë darkë të “famshme” nr.2 i qeverisë Berisha, Ilir Meta dhe kryetari i opozitës së atëhershme, Edi Rama, u takuan për rreth 7 orë, dhe sipas protagonistëve të asaj darke aty u rivendos për herë të parë komunikimi mes dy partive të spektrit të majtë, i cili më pas u konkretizua me tërheqjen e LSI-së nga qeveria Berisha dhe krijimin e koalicionit parazgjedhor mes Ramës dhe Metës për zgjedhjet e 23 qershorit të 2013.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/