Një fushatë publicitare e jashtëzakonshme që në mënyrë të paevitueshme përfundoi me ndjesë publike. Është pikërisht ajo që ndodhi me gjigantin e ushqimeve të shpejta “Burger King”, një markë shumë e famshme e zinxhirit të fast food-it, që në Rusi ishte treguar i gatshëm të ofronte hamburger falas për të gjithë jetën për femrat ruse që do të kishin marrëdhënie seksuale me futbollistët gjatë Botërorit.

Në njoftimin e publikuar nëpërmjet një video në web, i shndërruar menjëherë viral, referohet fakti se kështu Rusia do të mund të përfitonte nga disa gjeni të futbollit.

“Si pjesë e fushatës së saj të përgjegjësisë sociale, kompania Burger King ofron një shpërbim për femrat që do të arrijnë të mbeten shtatzënë nga yjet e futbollit. Çdo grua do të përfitojë 3 milionë rubla (40 mijë euro) dhe hamburger falas për jetë. Jepi, besojmë tek ty”, ishte mesazhi publicitar i Burger King.

Të menjëhershme ishin polemikat dhe postimi u fshih shumë shpejt. “Kërkojmë ndjesë për deklaratën tonë, që rezultoi të jetë shumë ofensive”, lexohet në një tjetër deklaratë të kompanisë Burger King.