TIRANË, 25 korrik 2013 – Për botuesin privat të Berishës, Fahri Balliu, “Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës duket si një dikaster i projektuar për interesat e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dakos, i cili mësohet se po insiston fuqishëm me grupin e tij të lobistëve të betonizimit, për të shtirë në dorë dikasterin e përfolur”.

Numri i 25 korrikut 2013 i së përditshmes 55 shkruan, ndër të tjera se “Gjushi i betonit ka krijuar tashmë klientelën e tij të betonizimit në të gjithë qytetin e Durrësit, duke mos kursyer as vijën bregdetare dhe nëpërmjet Ministrisë së Transporteve ai jo vetëm përligj ndërtimet e paligjshme, por njëherazi zgjeron hartën e betonizimit përtej Tiranës dhe Durrësit”.

Për 55-ën, “sigurisht që, mënyra sesi Edi Rama i fitoi zgjedhjet, po nëpërmjet këtij grupi biznesmenësh që nuk kursejnë asnjë copë tokë pa e shndërruar në beton, të cilët krijuan precedentin e shit-blerjes së votave, në këmbim të mbushjes së thasëve me vota, sot po kërkojnë shpërblimet e tyre”.

Balliu thotë se “Gjushi i betonit është vetëm njëri prej tyre që po insiston fuqishëm edhe me mjete presioni, për të zgjeruar aktivitetin betonizues”

Info/ Fahri Balliu

Fahri Balliu është shkrimtar, publicist, botues i gazetës “55”.

Balliu nuk ka mohuar publikisht akuzat që i janë bërë në medie si bashkëpunëtor personal i ish-ministrit komunist të Punëve të Brendshme Hekuran Isai; spiun i Sigurimit të Shtetit me pseudonimet “Ushtari”, “Aktivisti”, “Vullnetari”, “Rrjepsi”; “Fahri Balliu, kur ishte diplomat në Shkup në vitet 1990, iku nga Maqedonia i fshehur në bagazhin e makinës për shkak të aferave që kishte bërë”; “kunata e Fahri Balliut, Blegina Agolli (motra e gruas) Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, ishte njëkohësisht dhe përfaqësuese ligjore e kompanisë “Alpine Mayreder” në ndërtimin e rrugës Fier-Tepelenë, e quajtur ndryshe, “rruga e Fahri Balliut”; “kostoja e rrugës Levan-Vlorë shkoi në 60 milionë euro nga 40 që ishte parashikuar… nënkontraktor Alban Tirana, kompania e mikut të Fahri Balliut, nuk ka plotësuar punimet në kohë”; “gjobëvënës të lidhur me drejtoritë arsimore të rretheve për të shitur librat e tij plehra për nxënësit e shkollave”.

Ish-nr. 2 i ambasadës amerikane në Tiranë, Stephen Alan Cristina, në një raport konfidencial të 16 janarit 2009 i ka shkruar Uashingtonit se Fahri Balliu është “sekseri i punëve të pista të Kryeministrit Berisha, pronari i gazetës së krahut të djathtë” (PM Berisha's chief fixer and dealmaker, right-wing newspaper owner Ferih Baliu), shih www.wikileaks.org/plusd/cables/09TIRANA35_a.html).

Po ashtu dhe në kabllogram tjetër të ambasadës amerikane shkruhet: “një kompani në pronësi të Mihal Delijorgjit (i akuzuar për skandalin e Gërdecit), dhe Henris Balliut (vajza e Fahri Balliut, anëtar i trupës drejtuese të Partisë Demokratike dhe këshilltar i afërt i kryeministrit Berisha) ka nisur në mënyrë ilegale ndërtimin e fabrikës së demontimit në Gërdec në prill të vitit 2007, muaj përpara se Këshilli i Ministrave të jepte aprovimin zyrtar për kompanitë private (përfshi Albademilin e Delijorgjit) për t’u përfshirë në demontim”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/