Mjekët e maternitetit të Durrësit lëshojnë alarmin për fenomenin që po zgjerohet muaj pas muaji në qytetin bregdetar. Nënat e reja shpesh kryejnë aborte të vullnetshme për shkak të seksit të bebes. Shumë fetuse destinohen të mos vijnë asnjëherë në jetë për faktin e thjeshtë sepse janë femra. Mjekët obstetër-gjinekologë pohojnë se në shkallë vendi ka mesatarisht 20 mijë deri në 25 mijë lindje më pak në vit

Shtohet numri i nënave që abortojnë. Ligji që lejon abortet ka bërë që çiftet të ndërhyjnë për të sjellë në jetë bebe të seksit mashkull apo femër duke shtuar shqetësimin e bluzave të bardha. Ndonëse literatura mjekësore këshillon që nëna të bëjë eko për të dalluar seksin e foshjes vetëm pas muajit të pestë të shtatzënisë, klinikat private e thyejnë këtë rregull duke shtuar rastet e aborteve të provokuara në mënyrë të qëllimtë. Deri para viteve 1990 çdo ditë provokonin aborte kriminale 4-5 gra, ndërsa vitet e fundit kjo kategori abortesh ndeshet shumë rrallë. Mjekët obstetër-gjinekologë pohojnë se në shkallë vendi ka mesatarisht 20 mijë deri në 25 mijë lindje më pak në vit. Deri para viteve 1990 në shtëpitë e lindjes vinin në jetë mesatarisht 80 mijë bebe, ndërsa sot kjo shifër thuajse është përgjysmuar.  Dr. Arjan Prodani, shefi i shërbimit të obstetrisë në maternitetin e Durrësit tregon për gazetën “Dyrrah” se çdo muaj ka rritje të numrit të femrave apo çifteve që paraqiten për të abortuar në maternitet, pasi konstatojnë se foshnja që po presin është femër. Fenomeni ka nisur të kthehet në mjaft shqetësues për bluzat e bardha, të cilët rekomandojnë mos zbulimin e seksit të fëmijës që në muajin e tretë të shtatzënisë, në të kundërt situata mund të bëhet edhe më kritike. Në të njëjtën kohë  dr. Prodani ndalet edhe kujtimet që ka nga koha kur në vendin tonë nuk lejohej aborti, e për pasojë shumë femra detyroheshin të abortonin në kushte primitive duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën e tyre. 

Prej disa kohësh abortet janë ligjëruar. Ju si obstetër-gjinekolog jeni pro apo kundër abortit?

Me të përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë u specializova për tre vite në fushën e obstetrisë-gjinekologjisë. Emërimi im si mjek i vetëm në repartin e abortatit pranë maternitetit të Durrësit përkoi në një kohë me shtimin e frikshëm të rasteve të aborteve kriminale. Duhet thënë se vitet 1980-1987 kanë qenë të mbushura me episode shumë dramatike për nënat dhe mjekët. Asokohe aborti ishte i ndaluar ligjërisht ndaj shumë gra e kryenin atë në mënyrë krejt primitive, në fshehtësi. Ditë për ditë shtroheshin 4-5 gra me sëmundshmëri të lartë infeksioni e hemoragjie. Bluzat e bardha gjendeshin përballë të papriturave të mëdha dhe rrisqeve profesionale.

Nga njëra anë duhej të kujdeseshim për të shpëtuar jetën e grave, nga ana tjetër të mbanin në fshehtësi veprimin e paligjshëm që bënin gratë e shtyra nga shumë halle e probleme. Gratë vinin në spital në gjendje shumë te keqe shëndetësore, disa herë pa asnjë shpresë për jetën, me hemoragji e puls të dobët, gjendje të fikti dhe humbje të kujtesës, të paushqyera, me këputje të theksuara dhe shenja të tjera. Në ato vite kam parë e përjetuar shumë gjëra. Sa herë që kthej kokën për të kujtuar atë periudhë them me vete se është bërë shumë mirë që aborti u ligjërua. Ky është edhe mendimi i mjekëve. Gratë në një farë forme kanë shpëtuar nga shumë të këqia të vogla e të mëdha. Edhe ne si bluza të bardha po ashtu. Ishte apo jo i ligjëruar gratë abortonin dhe kjo nuk ndalej edhe pse kishte shumë presion psikologjik në atë kohë.

A mund të themi se e drejta për të abortuar në shumë raste sot keqpërdoret nga çiftet, nënat, gratë?

Sigurisht, mbetet jo pak shqetësim një pohim i tillë. Kur flasim për ligjin duhet të kemi parasysh ta zbatojmë atë siç është shkruar. Me këtë dua të them se sot ndeshemi me rastet e teprimit të tendencës për abort. Ligji i hoqi bluzave të bardha dhe shoqërisë një barrë të madhe. Vetëm nënat që kanë provuar abortin dhe mjekët e dinë se ç’plagë shoqërore ka qenë abortimi ilegal, në kushte aspak sterile dhe me rrisqe të mëdha për jetën e grave pa kujtuar këtu koston financiare. Çdo ditë, në atë periudhë të viteve 1980-1987 u bënim pacienteve hemotransfuzion. Përditë duhej gjak rezervë, antibiotik, oksigjen. Kirurgët bëheshin gati sapo raportohej për ardhjen e një gruaje që kishte provokuar abort. Ishte shumë stresante. Aborte të tilla, të provokuara jashtë kujdesit mjekësor dhe në mjedise aspak të përshtatshme higjenike apo edhe me mjete të pasterilizuara, bënin që mesatarisht të vdisnin 2-3 gra çdo vit.

Këtu nuk po llogarisim numrin e grave që e kalonin pragun e vdekjes me shumë vështirësi apo të tjera që hiqnin mitrën duke humbur çdo mundësi për të sjellë në jetë foshnje. Që të provokohet një abort nuk është e vështirë, mjafton futja e gjërave josterile në kanalin e qafës së mitrës dhe infeksioni përhapet me shumë shpejtësi. Por këtu nuk përfundon qëllimi i këtij veprimi. Përkundrazi këtu nisin peripecitë që u rrezikojnë e u kanë rrezikuar jetën grave. Sot e prej disa vitesh këto lloj veprimesh janë minimizuar shumë. Në zona urbane madje nuk flitet më për abort kriminal. Ajo që ne ndeshim përditë është shtimi i kërkesave për abort. Janë disa kategori që e kërkojnë këtë. Nëse aborti sot është i ligjëruar kjo nuk do të thotë që pacientet ta kërkojnë atë edhe atëherë kur nuk ka asnjë lloj justifikimi.

Ku vërehet e keqja në kërkesat e pacienteve që duan të abortojnë?

Femra e mbetur shtatzënë në mënyrë të dëshiruar apo edhe të padëshiruar ka të drejtën e saj për të abortuar. Askush sot nuk mund t’i kërkojë llogari për një vendim të tillë që ajo apo çifti marrin për të hequr foshnjen e porsangjizur. Çdo femër shtatzënë ka të drejtë të abortojë nëse është deri në muajin e tretë të barrës. Nëse kalon muaji i tretë aborti kryhet vetëm në kushte shumë, shumë të domosdoshme dhe për arsye të forta që kanë të bëjnë me vënien në dyshim të jetës së nënës shtatzënë apo edhe me pozicionin dhe anomalitë e ndryshme të foshnjes në bark. Për raste të tilla vendos ekipi i mjekëve dhe konsulta e tyre. E keqja për të cilën ne flasim ka të bëjë me atë kategori grash dhe çiftesh që nuk e justifikojnë dot mendimin për të abortuar.

Sa herë që një paciente aplikon për abort ne si mjek i japim një javë kohë të mendohet. Përpiqemi ta bindim se aborti nuk është zgjidhja më e mirë dhe u tregojmë edhe rrisqet e afërta e të largëta. Nga përvoja jonë vërejmë se fare pak paciente e çifte heqin dorë nga kërkesa për abort. Ajo që na shqetëson ne dhe që po vjen e po bëhet gjithnjë edhe më shqetësuese edhe për shoqërinë është kërkesa për abort për shkak të seksit të foshnjes. Ka mjaft çifte që duan të lindin vetëm djalë, apo të tjerë që pasi kanë një a dy vajza kërkojnë djalë. Ne si mjekë obstetër-gjinekolog nuk e konceptojmë normale një kërkesë të tillë. Është e pajustifikuar të abortosh për shkak të seksit të foshnjes. Kjo është të sakrifikosh një foshnje të pafajshme. Të mos harrojmë se seksi nuk dallohet në muajt e parë ndaj kjo e rrit edhe më shumë përgjegjësinë e çiftit.

Në çfarë periudhe dallohet nëse foshnja është e seksit mashkull apo femër?

Pikërisht këtu qëndron e gjithë ajo që ne e cilësojmë si veprim i pajustifikuar i pacientes apo çiftit. Si rregull, konstatimi i seksit duhet të bëhet në kohën që gruaja është në muajin e pestë të shtatzënisë. Kjo ka një qëllim më vete. Duke qenë se në muajin e pestë foshnja është pjekur, aborti nuk mund të provokohet pa shkak, pra kjo e parandalon dukshëm abortin. Edhe nëna, e cila e ka mbajtur barrën për pesë muaj, ndihet përgjegjëse, e ndërgjegjshme që foshnja duhet mbajtur. Në spital ne nuk lejojmë bërjen e ekos për ta dalluar seksin e foshnjes deri në muajin e pestë. Por gratë e çiftet sot kanë shumë mundësi ta mësojnë këtë gjë shumë më herët sesa afron materniteti. Ata i drejtohen klinikave private dhe e diagnostikojnë seksin në muajin e tretë, muaj që lejohet të kryhet aborti i vullnetshëm.

Duhet pranuar se numri i pacienteve që abortojnë vetëm pse foshnja është e seksit femër rritet nga muaji në muaj. Ne nuk e parandalojmë dot. Kërkohet ndërgjegjësim pasi më së shumti kjo është edhe çështje kulture, mentaliteti, botëkuptimi. Nuk do e këshilloja as unë dhe as ndonjë mjek tjetër që gratë të bënin abort për arsye të tilla. Këto raste shpesh realizohen në klinika private dhe në muajin e katërt apo të pestë të shtatzënisë. Një proçedurë e tillë është e rrezikshme për gruan. I dëmton rëndë aftësinë riprodhuese dhe e rriskon në prekjen nga sëmundje të tjera. Të mos harrojmë se heqja e foshnjes në muajin e katërt e të pestë pa shkak të fortë ndodh që ta shtyjë gruan drejt gjendjes depresive dhe kjo pathologji kalon me shumë vështirësi, nëse kalon. Vendi ynë e ka kaërcyer prej disa dekadash jetën patriarkale në marrëdhëniet e së cilës manifestoheshin veprime që pengonin nismat e femrës dhe çifteve për të vendosur lidhur me planifikimin familjar.

Sot familjet jetojnë në kurorë dhe bashkëshortët kanë jo vetëm të tjera kërkesa ndaj vetes dhe jetës, por edhe formim të ri kulturor, etik. Por të vendosësh se me sa fëmijë do të jetë familja nuk është e njëjtë si të vendosësh për të hequr fetusin në muajin e katërt e të pestë vetëm pse në jetë do të vijë një foshnje e seksit femër. Më duhet ta ritheksoj se këto raste po rriten. Është disi e pakuptimtë, pasi nuk përkon me rritjen e nivelit arsimor e kulturor të çifteve dhe të shoqërisë sonë. Momente të tilla të vendimeve të pajustifikuara duhet të administrohen me pjekuri e maturi. Mendoj se çiftet në këto raste gjykojnë më pak dhe në vend të arsyes ngre kokë egoja, pasioni, mentaliteti i së shkuarës. Në bazë të përvojës sonë, vëmë re se ndodh që shumë çifte pasi kanë kaluar disa vite nuk duan ta kujtojnë atë vendim duke u shprehur se kanë gabuar. Në stadin e ri që ka hyrë shoqëria dhe familja shqiptare nuk ka asnjë arsye të mendohet nëse bebja që vjen në jetë është djalë apo vajzë. Përkundrazi. I duhet kushtuar kujdes shëndetit dhe edukimit. Kjo do u shërbejë prindërve, kjo do i shërbejë shoqërisë.


 


Abortet

Aborti lejohet të kryhet deri në periudhën kur fetuesi në barkun e nënës shtatzënë është 12 javësh. Të gjitha rastet e tjera të abortimit bëhen me vendim të ekipit të mjekëve të cilët konsultohen për pathologjinë e gruas së bërë objekt. Materniteti në Durrës (dhe asnjë maternitet në vendin tonë) nuk ka statistika për të ditur se sa gra abortojnë, pasi aborti kryhet në spital, klinikë private dhe në familje. Mjafton një tabletë, pilulë kundër shtatzënisë për ta prishur fetusin e ngjizur. Barrat e vogla nuk regjistrohen dhe në vendin tonë ende komuniteti femëror nuk është ndërgjegjësuar për të deklaruar rastet e mësipërme. Raporti lindje-abort ka ardhur gjithnjë duke ndryshuar. Për shkak të kushteve që afrohen në spital abortet janë krejtësisht të garantuara ndaj mjekët këshillojnë që ndërhyrje të tilla të realizohen vetëm në kushte spitalore e jo në klinika apo banesa familjare. Arsyet që shtyjnë çiftin të kërkojë abortin janë gjendja ekonomike, mungesa e një strehe, këmbëngulja e femrës për të bërë karrierë, sëmundjet e ndryshme, mbetja në mënyrë aksidentale shtatzënë, planifikimi familjar etj. Mjekët pohojnë se sot femrat e kanë shumë të lehtë të diagnostikohen nëse janë apo jo shtatzënë. Farmacitë tregtojnë medikamente të cilat e ndihmojnë femrën për të dalluar nëse është apo jo shtatzënë, ashtu siç afrohen edhe pilula, injeksion me depoprovera, dispozitiva introuterinë apo spirale për të shmangur mbetjen me barrë. Këto janë teknika shumë të thjeshta dhe fare pak të kushtueshme, ndërsa mjekët pohojnë se nuk paraqesin komplikacione. Pas viteve 1995, numri i aborteve në Durrës ka ardhur duke u shtuar në sajë edhe të kulturës së re të jetesës dhe kontaktit me qytetërimin e vendeve perëndimore. Megjithatë mjekët ushtrojnë jo pak propagandë për të nxitur gratë të shmangin abortin. Ata pohojnë se aborti mund të rrezikojë seriozisht jetën e gruas apo mund të dëmtojë fizikun dhe gjendjen psikologjike të saj. Ndodh që aborti i parë të ndikojë edhe në mosngeljen shtatzënë herë tjetër apo të shkaktojë infeksione të ndryshme dhe probleme me mitrën. Mjekët, në bazë të eksperiencës, theksojnë se aborti është eksperiencë traumatike, sjell vuajtje të madhe shpirtërore apo edhe lodhje fizike dhe mendore.