Seksioni për narkotikët në Durrës vijon me kontrollet ndaj të rinjve, që dyshohet se mund të jenë përdorues të lëndëve narkotike, apo edhe mund t’i shesin ato për qëllime fitimi.

Pas 5 të rinjve që u kapën të premten që lamë pas me një dozë kanabis, bëhet e ditur se janë kapur në flagrancë gjatë fundjavës edhe 8 të tjerë, të moshës nga 14 – 19 vjeç, me nga një dozë marijuanë.

Katër djem të moshave 14 dhe 17 vjeç janë kapur në lagjen nr.11, ndërsa katër të tjerë të moshave 18 dhe 19 vjeç janë kapur në lagjen nr. 17/1.

Për tetë të rinjtë, blutë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Rastet e tetë të rinjve:

Më datë 07.10.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për shtetasit E.P., A.K., L.B., dhe E.D., vjeç 17, 17, 14 e 14, banues në Durrës, pasi më datë 06.10.2018, në lagjen nr. 11, nga kontrolli ju bllokua në cilësinë e provës materiale, 1 dozë lëndë narkotike e llojit Marijuanë. Neni 283/1 i Kodit Penal.

Më datë 07.10.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durës, për shtetasit E.D., E.B., E.K., dhe R.K., vjeç 19, 19, 18, 19, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 17/1, nga kontrolli iu gjetën 4 doza lëndë narkotike e llojit Marijuanë. Neni 283 i Kodit Penal.