Industria mekanike, kimike, farmaceutike, mjekësore, agrobiznesi, tekstile dhe veshje, ndërtimi, shërbimet inxhinierike, infrastrukturore, turizmi dhe arsimi janë disa nga sektorët që shihen me interes nga sipërmarrjet italiane. Elisa Scelsa, drejtoreshë e Zyrës Italiane të Tregtisë me Jashtë (ICE) në Tiranë, thotë se këta sektorë mundësojnë integrimin në rrjetet ndërkombëtare.
Ajo flet dhe për mundësitë e biznesit që do të kenë bizneset shqiptare gjatë forumit të biznesit që do të zhvillohet gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Trieste.
Nga cilët sektorë janë sipërmarrjet që do të marrin pjesë në Forumin e Biznesit në Trieste?
Fushat e specializimit të kompanive që do të marrin pjesë në forum janë tre: infrastruktura, energjia e mjedisi dhe novacioni. Në të vërtetë këta janë sektorët në fokusin e procesit të Berlinit, i filluar në vitin 2014 me vullnetin e gjashtë vendeve anëtare të BE-së, duke përfshirë sigurisht Italinë, për të promovuar dhe për të inkurajuar integrimin më të madh ndërmjet shteteve të rajonit në perspektivën e anëtarësimit në BE. Në këtë kontekst, kohezioni ekonomik dhe tregu i vetëm janë të rëndësishme. Këto janë elemente mbi të cilat Europa po ashtu ka ndërtuar historinë e saj. Ndaj është e natyrshme që në kontekstin e ngjarjeve që do të shoqërojnë Samitin e katërt të Ballkanit, i kryesuar këtë vit nga Italia, një sesion t’i përkushtohet tërësisht biznesit dhe kompanive në sektorët kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të përbashkët.
Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky forum, në drejtim të firmave shqiptare dhe italiane?
Pritshmëritë e mia janë shumë të mëdha, sidomos në aspektin e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet operatorëve italianë dhe shqiptarë. Forumi në fakt do të ketë paradite seanca me 4 sektorët. Por ne presim veçanërisht nga takimet mes bizneseve B2B pasdite një stimul të prekshëm në thellimin e mirëkuptimit reciprok ndërmjet aktorëve të tregut. Nga ora 14:30 deri në 16:30, pjesëmarrësit shqiptarë do të kenë në dispozicion një tryezë për takime bilaterale me operatorët italianë. Rreth 100 kompani kanë shprehur interes për shqiptarët. Në thelb, flasim për një mesatare prej 15 takimesh për kompani, për t’u zhvilluar në katër orë, kjo do të thotë se shqiptarët do të duhet vërtet të vrapojnë.
Cilat janë mundësitë për bizneset shqiptare në Forumin e Triestes?
Mundësitë janë mjaft komplekse, por unë mund të përmend p.sh., marrjen e informacionit dhe kontaktet operacionale. Kompanitë shqiptare do të marrin informacion nga prezantimet e mëngjesit, i dedikuar për të gjitha instrumentet financiare në dispozicion të tyre dhe për projektet e zhvillimit prioritar në fushat e tyre të ekspertizës. Menjëherë më pas në takimet B2B ata mund të krijojnë rrjetet dhe të takojnë një sërë partnerësh të mundshëm të biznesit që veprojnë në të njëjtin sektor në Itali dhe në Ballkan.
Partneritetet që mund të rezultojnë nga këto takime shkojnë nga shkëmbimi i pastër i mallrave, shërbimeve dhe teknologjive të bashkëpunimit industrial. Nuk ka kufizime.
Pse është i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin procesi i Ballkanit Perëndimor?
Është i rëndësishëm për Shqipërinë, ashtu si për të gjitha vendet e përfshira në proces, në kuadrin e perspektivës së zgjerimit, por edhe një zhvillim përgatitor rajonal që mund të lehtësojë këtë proces.
Në cilët sektorë të ekonomisë shqiptare ka më shumë interes për të investuar nga ana e kompanive italiane?
Italia është tashmë partneri i parë tregtar. Në vend janë aktive prej vitesh disa investime të mëdha. Ne jemi fqinjë jo vetëm në aspektin thjesht gjeografik, por edhe kulturor. Shoh hapësirë sidomos në fushat që janë shtylla kurrizore e specialiteteve tona, në zinxhirët e vlerave që kanë interes të lartë edhe për Shqipërinë, jo vetëm për tregun e brendshëm dhe rajonal, por edhe për integrimin në drejtimet ndërkombëtare drejt tregut global: mekanike, kimike, farmaceutike dhe mjekësore, agrobiznesit, tekstile dhe veshje, ndërtimi, shërbimet inxhinierike, infrastrukturore, turizmit dhe arsimit. Këta janë sektorët ku ka integrim më të dukshëm të mundshëm, por ekonomia shpesh merr drejtime të paparashikuara, ndaj nuk mund të vëmë kufij.
/MONITOR/