Në Gjykatën e Durrësit ka nisur seanca gjyqësore për masën e sigurisë për shoferin e pronarin e autobusit Elidon Çela dhe dy ndihmësit e tij, lidhur me shumën e 522 mijë eurove dhe mallrave kontrabandë të kapura ditën e premte në portin e Durrësit.

Të akuzuarit janë Elidon Çela, 32 vjeç, banues në Lushnje, pronar dhe drejtues i autobusit; D. K., 36 vjeç, banues në Tiranë dhe A. C., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndihmësit e drejtuesit të autobusit.

Prokuror i çështjes është Pali Deçolli.

Ndaj tyre rëndojnë disa akuza: “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të licencuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Ndërkohë Çela në dëshminë e tij në lidhje me sasinë e parave, ka thënë se paratë ishin kursime të familjes dhe se janë të ardhura të krijuara nga biznesi, madje është treguar i gatshëm të vërë në dispozicion edhe faturat.