TIRANE- Një biznesmen kinez po hetohet nga prokuroria e Tiranës, pasi dyshohet për pastrim parash. Njësia e specializuar Task-Forcë në prokurorinë e Tiranës, që tashmë drejtohet nga Gentian Trenova, i kërkoi gjykatës sekuestrimin e llogarive bankare të biznesmenit Gang Chen, pasi pavarësisht se në emër të tij ka hapur një biznes, nuk justifikon dot burimin e të ardhurave.
Biznesmeni e ka hapur llogarinë në vitin 2011 dhe për afro një vit nuk ka kryer asnjë veprim. Në 2012- ën, ka kryer transferta në shuma të mëdha, në dollarë dhe euro, nga Kina në Shqipëri dhe anasjelltas, çka në fakt ka ngritur dhe dyshimet se po bënte pastrim parash.
"Mosparaqitja në bankë e asnjë dokumenti për justifikimin e kryerjes së transfertave, përveçse ka deklaruar 'transfertë personale', e bën të pakuptueshëm qëllimin e vërtetë të destinacionit të tyre, si edhe fakti që nuk ka paraqitur asnjë dokument justifikues për burimin e vërtetë të ligjshëm të fondeve. Mbajtja për gati një vit e llogarisë inaktive dhe përdorimi i saj vetëm për derdhje CASH e për transferime drejt Kinës, bën të lindin dyshime për burimin e të ardhurave të investuara dhe qarkulluara në sistemin bankar", thuhet në vendimin e gjykatës.
Burime të besuara të prokurorisë, thanë se biznesmeni Gang Chen, nuk është pyetur ende, për shkak se nga verifikimet rezulton të jetë larguar drejt Kinës.
SEKUESTRIMI I LLOGARIVE
Pas dyshimeve të forta se një shtetas kinez po kryente pastrim parash në vendin tonë, ka detyruar njësinë e specializuar Task-Forcë të nisë hetimet ndaj tij, si dhe të kërkojë sekuestrimin e llogarive bankare. Gjykata e ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe në vendimin e saj, parashtron si më poshtë: Shtetasi kinez Gang Chen, në datën 08.11.2012 ka depozituar cash në bankën "xxx" shumën 142 520 USD dhe në të njëjtën ditë ka kërkuar transferimin e këtyre fondeve, (transfertë e cila ende nuk është ekzekutuar nga banka). Përfituesi i këtyre fondeve është Gang Chen, me nr. Ibani: 408410100100037323 dhe kodi swift FJIBCNBA560 Kinë.
Sipas informacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë rezulton se, transaksionet dhe detajet e kryera në bankën "xxx" nga Gang Chen janë si vijon: – Në datën 26 janar të vitit 2011 shtetasi Gang Chen është paraqitur në bankë për të vendosur marrëdhënie biznesi me bankën dhe aktualisht rezulton se, zotëron dy llogari personale në monedhën EUR e USD; – Në datën 25/01/2012 shtetasi i mësipërm ka depozituar shumën 140 000 USD dhe ka deklaruar se të ardhurat janë nga puna në Shqipëri; – Në të njëjtën ditë ka kryer dy transferta në nisje, përkatësisht në shumat 50 000 USD dhe 90 000 USD, me bankë përfituese "xxx" dhe palë përfituese shtetasin Chen Yaping, China, për transfertën e parë dhe palë përfituese shtetasin Gang Chen për transfertën e dytë; – Llogaria e klientit, nga data e çeljes në vitin 2011 deri në datën e kryerjes së dy transfertave në vitin 2012 ka qenë joaktive, pra për gati një vit; – Në llogarinë në monedhën EUR shtetasi Gang Chen nuk ka kryer asnjë transaksion. Ka raportime të tjera për transaksione në vlera si: Më datë 12.10.2009 në bankën "xxx" Gang Chen ka derdhur cash shumën 20 051 USD; burimi i të ardhurave është deklaruar nga biznesi. Të gjitha veprimet e mësipërme bankare, janë kryer nga shtetasi Gang Chen në bankën "xxxx" me qendër në Tiranë. Shumat e depozituara nga Gang Chen në total arrijnë në shumën 282 520 USD brenda vitit 2012 dhe për to është deklaruar, të ardhura nga biznesi.
Nga kërkimet në QKR, me gjeneralitetet Gang Chen rezultoi i regjistruar subjekti "CHRM GUANG" shpk, me Nipt K31412071G, regjistruar në datën 12/02/2003; selia e ushtrimit të aktivitetit është "Rruga e Dibrës", pranë Medresesë, Tiranë. Objekti i veprimtarisë nuk është i plotësuar. Përfaqësuesi ligjor është Guang Chen, me status aktiv, ndërsa nga informacioni i marrë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve rezulton se, që nga viti 2009 ky subjekt është pasiv dhe ka kaluar tek Drejtoria e Tatimeve Tiranë. Shumat e depozituara nga shtetasi Gang Chen në total arrijnë në shumën 282 520 USD brenda vitit 2012, ndërkohë që, ashtu siç u theksua më sipër, rezulton se aktiviteti i biznesit të tij është pasiv. Pra nuk justifikohet burimi i të ardhurave të deklaruara me shumën e depozituar dhe gjendjen e aktivitetit të biznesit të deklaruara pranë tatim-taksave. Këto shuma janë depozituar të gjitha në para fizike, fakt që e bën edhe më të dyshimtë për pastrim parash dhe për faktin se ka kryer transferimin e menjëhershëm të fondeve jashtë vendit në të njëjtën ditë që i ka depozituar; Mosparaqitja në bankë e asnjë dokumenti për justifikimin e kryerjes së transfertave, përveçse ka deklaruar 'transfertë personale', çka e bën të pakuptueshëm qëllimin e vërtetë të destinacionit të tyre, si edhe fakti që nuk ka paraqitur asnjë dokument justifikues për burimin e vërtetë të ligjshëm të fondeve dhe mbajtja për gati një vit e llogarisë inaktive dhe përdorimi i saj vetëm për derdhje CASH e për transferime drejt Kinës, atëherë lindin dyshime për burimin e të ardhurave të investuara dhe qarkulluara në sistemin bankar.
"UDHËTIMET" E BIZNESMENIT
Prokuroria ka verifikuar të gjitha hyrje-daljet e shtetasit kinez Gang Chen. Biznesmeni nuk është pyetur ende, pasi nuk ndodhet në Shqipëri, por është larguar drejt Kinës. Sa u përket lëvizjeve të tij të kryera përgjatë viteve të fundit, thuhet se: Nga të dhënat e sistemit TIMS të paraqitur si provë në gjykim rezulton se ekzistojnë dy shtetas me të dhëna, Gang CHEN datëlindja 19.08.1964 me pasaportë nr. G00103113, skaduar datë 03.08.2005 dhe G19428510 skaduar datë 10.10.2011 dhe shtetasi Gang Jinsheng CHEN datëlindja 19.08.1964 me pasaportë nr. G51251489-CN, datë e skadimit 25.04.2021. (të dhënat e të cilit përputhen me të dhënat të cilat mban kopja e pasaportës e dorëzuar nga derdhësi i parave pranë bankës "xxx"). Gjithashtu nga të dhënat e këtij sistemi rezulton se tek hyrjet në Republikën e Shqipërisë rezultoi se shtetasi Gang Jinsheng CHEN, hyrjen e fundit e ka me dokumentin, pasaportë e zakonshme kineze, me numër G51251489-CN, datë 09.09.2012, ora 17:49, me furgon me targa TR9956R, Pika Kufitare Morinë. Tek daljet nga Republika e Shqipërisë rezultoi se shtetasi Gang Jinsheng CHEN, ka dalë nga Republika e Shqipërisë me dokumentin, pasaportë e zakonshme kineze, me numër G51251489-CN, në datën 15.09.2012, ora 19:14, me linjën ajrore TURKISH AIRLINESTK 1473/1474 STAMB, në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza", Rinas. Pra rezulton se ky shtetas ndodhej jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë që nga data 15.09.2012, ndërkohë që derdhja e shumës pranë bankës "xxx" e parave në Cash figuron të jetë bërë më datë 08.11.2012 dhe rezulton se ky person është paraqitur personalisht pasi ka nënshkruar në emër të tij. Pasi shqyrtoi çështjen, gjykata vendosi të sekuestrojë llogaritë bankare të kinezit Gang Chen.





