7 nëntor 2015 – Një sipërfaqe toke shtetërore me vlerë 9 milionë euro në plazhin e Llamanit u sekuestrua nga prokuroria pasi nga hetimet ka rezultuar se është përvetësuar me dokumente të falsifikuara.
Sipërfaqja e tokës prej 45 hektarësh ishte regjistruar në Hipotekë si tokë pyjore në emër të një 100-vjeçari nga Himara, por në fakt ishte bregdetare, raporton Report TV.
Pjesë e falsifikimit të dokumenteve është edhe gjyqtari i Shkallës së Parë Administrative në Vlorë, Astrit Shema, për të cilin më 22 Prill të 2015, ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka kërkuar procedim disiplinor.
Sipas hetimeve, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë kishte vendosur ta refuzonte regjistrimin e pronës. Kjo, për shkak të mungesës së titullit të pronësisë. Personi që donte të regjistronte truallin në gjirin e Llamanit dispononte vetëm një vendim të vërtetimit të faktit juridik të vitit 1998. Por çështja ka kaluar në Gjykatë dhe Astrit Shema ka dhënë vendimin në favor të kërkuesit, duke i dhënë pronën në një nga gjiret më të frekuentuara të Rivierës shqiptare, i konsideruar si VIP për shkak të çmimeve të “kripura” . Veç kësaj, kërkesa e pronësisë është bërë për 30 hektarë tokë, por në fakt ka rezultuar se bëhej fjalë për 45 hektarë në plazhin e Lllamanit.
Sekuestro preventimeve e truallit është bërë me vendim gjykate nga Prokuroria e Vlorës. Me këtë vendim, prona nuk mund të shfrytëzohet nga persona të tjerë deri në përfundim të hetimeve.
/portali DurresLajm/