Një sasi e konsiderueshme kanabisi është sekuestruar nga policia greke gjatë një aksioni antidrogë ditën e djeshme.
Është një sasi prej 1.2 tonë kanabis sativa, e cila raportohet se u transportua me skaf në vendin fqinj përmes detit. Tonelatat e drogës u zbuluan nga rojet bregdetare greke të Peloponezit.
Trafikantët kishin zbarkuar në zonën e Manit dhe e kishin fshehur skafin në një zonë shkëmbore. Në momentin që do të nisnin punën për të marrë ngarkesën, ndërhynë forcat greke të policisë. Dy persona u arrestuan, kurse të tjerët mundën të shpëtonin.
Shtypi në Greqi raporton se skafi dyshohet që të jetë ngarkuar me 1.2 ton kanabis në brigjet e Shqipërisë. Por, policia greke dukej se kishte dijeni në rrugë operative për një ngarkesë të tillë, pasi mbante nën vëzhgim për ditë me radhë skafin me drogë.





