ANKONA, 25 shkurt 2013 – Dy shqiptarë janë arrestuar pasi akuzohen si transportues të 13.7 kg marijuanë që janë sekuestruar nga Guardia di Finanza në Ankona të Italisë, në një automjet.

Siç njoftojnë mediat italiane, marijuana ishte fshehur brenda një makinë, e cila sapo kishte zbritur nga një anije nga Greqia. Gjatë kontrollit të automjetit, dy shqiptarët, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, janë treguar nervozë, gjë që ka nxitur dyshimet e policisë së vendit fqinjë.

Në këto rrethana policia ka ushtruar një kontroll të imtësishëm në makinë, duke zbuluar edhe drogën, e cila nëse do të hidhej në treg do të sillte një fitim prej 130.000 eurosh.

Droga ishte e ndarë në 25 pako. Njëri prej shqiptarëve kishte shkelur më parë afatet e qëndrimit në Itali, dhe për të kishte një urdhër për moslejimin e hyrjes së tij në territorin italian. Dyshohet se droga kishte hyrë nga Shqipëria në Greqi, me destinacion final Italinë.

Dy shqiptarët janë dërguar në burgun e Montacutos nën akuzën për trafik ndërkombëtar të drogës.