Policia ka goditur një rast të mosdeklarimit të një shume parash në portin e Durrësit.

Pas një kontrolli të imtësishëm në një autobus që vinte nga Italia, policia ka gjetur 16.500 euro të fshehura në ventilatorët e kondicionerëve.

Mësohet se është proceduar penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, shtetasin Sh. V., 55 vjeç, banues në Elbasan, shoferi i autobusit.

Njoftimi i policisë:

Në Portin e Durrësit, goditet një rast i mosdeklarimit të një shume parash në euro, sekuestrohen 16.500 euro.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me seksionin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës dhe autoritet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë, në hyrje është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, një mjet tip autobus që vinte nga Italia, me drejtues shtetasin Sh. V., 55 vjeç.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, në ventilatorët e kondicionerëve u konstatuan të fshehura 16.500 euro, shumë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, shtetasi Sh. V., 55 vjeç, banues në Elbasan.