Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, Brenda 12 orëve kanë evidentuar dy raste të trafikimit të lëndëve narkotike dhe kanë prangosur dy shtetas.
Në total, sasia e lëndës narkotike të sekuestruar është 16 kg.
Gjatë kontrollit në vijën e dytë të autobusit të linjës Tiranë -Athinë, në bagazhin e tij u konstatua një mobilje (tavolinë), brenda së cilës ishte krijuar një vend i fshehtë, ku u gjetën 6 pako të mbështjella me natriban, gjithsej 6.8 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit
Florian Gjoni, 29 vjeç banues në Fier, punonjës i agjencisë, pasi ky shtetas e ka nisur porosinë me autobus, të cilën pretendon se e ka marrë nga një shtetas tjetër të cilin nuk e njihte.
Pas disa orëve, Policia Kufitare gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në automjetin tip ‘CADDY’ me targa AA 458 NV, që drejtohej nga shtetasi Flamur Omeri , 64 vjeç, banues në Patos, ka konstatuar në gomën rezervë dhe në brendësi të dy parafangove 14 pako të mbështjella me natriban me peshë 9.2 kg, lëndë narkotike, e dyshuar kanabis sativa.
Bashkë me sasinë e drogës u sekuestruar edhe automjeti ‘CADDY’ në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale "Trafikim të lëndëve narkotike ".





