Sekuestrohen pasuri me vlerë 2 milionë euro të dyshuara, konkretisht dy pallate dhe një bar-hotel në zonën e Plazhit të Durrësit në pronësi të shtetasit Pëllumb Tuda, si të përfituara nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për gjurminin, evidentimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfitura nga veprimtaria mkriminale, referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2017 materialet në ngarkim të shtetasit Pëllumb Tuda, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
“Në vijim të veprimeve, pas hetimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Finanaciar në DVP Durrës u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror, “Sekuestro të pasurive”, të shtetasit P. T., 51 vjeç, banues në Durrës, i dënuar për veprat penale “Trafikimi i drogave” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni”.
Pasuritë e sekuestruara janë dy pallate dhe një bar-hotel në lagjen nr. 13 Durrës.
Shuma e sekuestrimit kap vlerën e 2 000 000 euro sipas çmimit të tregut“, informon policia e Durrësit.
Materialet shtesë i kaluan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.





