20 kilogramë kanabis, 1153 fara kanabisi, dy armë dhe municion janë sekuestruar në fshatin Perondi të Beratit.

Aksioni nisi kur në rrugën e fshatit u ndalua për kontroll një makinë Smart që drejtohej nga 23-vjeçari V.L., të cilit në mjet iu gjet një sasi e vogël kanabisi.

Uniformat blu shkuan për kontroll në banesën e 23-vjeçarit, ku gjetën dhe sekuestruan 20 kg kanabis, 1153 fara kanabisi, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri pushkë, 2 krehra me fishekë dhe një sasi tjetër municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ushtronte veprimtarinë kriminale të prodhimit të lëndës narkotike kanabis dhe të shitjes së saj në doza, në Kuçovë dhe në Berat.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të 23-vjeçarit.