Policia greke ka sekuestruar 23 kg heroinë dhe ka vënë në pranga 2 persona, një prej të cilëve është shqiptar. Në prangat e policisë kanë rënë një shtetas turk, 50 vjeç dhe një shqiptar, 43 vjeç, të cilët dyshohet se janë anëtarë të bande ndërkombëtare të trafikut të heroinës.

Operacioni për arrestimin e tyre është kryer në autostradën Selanik-Athinë. Mediat greke bëjnë me dije se droga vinte nga Turqia.

50-vjeçari ka transportuar me kamion ngarkesën ilegale, të cilën e ka importuar përmes doganave të Kopshteve, në Evros.

Ndërkohë bëhet me dije se në parkun e makinave, afër daljes në Veria, turku është takuar me shqiptarin, i cili ka marrë dy çanta shpine që përmbanin gjithsej 23 pako heroinë, me peshë totale 23 kg dhe 126 gram.

Sipas llogaritjeve, heroina mund të arrinte vlerën prej 90 milionë eurosh, nëse shitej në treg.