Gjykata e Shkodrës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen nën sekuestro preventive të 25.000 m2 në zonën turistike të Razmës, në rrethin e Shkodrës.
Sektori i Hetimit të Veprave Penale në fushën e krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionin në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër kërkoi vendosjen e sekuestros preventive mbi rreth 25 000 m2 tokë e llojit pyll, në Razëm të Malësisë së Madhe. Kërkesa e Prokurorisë është bërë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, që regjistroi procedimin penal në mars 2016 është pranuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër në 25 prill 2018.
Kjo sipërfaqe ndodhet ende e regjistruar në favor të përfituesve të vendimit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve. Hetimet treguan se vendimet e Komisioni të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve, Rrethi Malësi e Madhe, me anë të të cilëve janë kthyer 53.906 m2 tokë e llojit pyll në Razëm, janë të falsifikuara.
Vazhdojnë hetimet për funksionarët publikë që kanë dhënë këto vendime si dhe përfituesit të pasuritë në mënyrë të paligjshme për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuara nga neni 287 i Kodit Penal, njoftoi prokuroria.





