Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit, kanë sekuestruar rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Droga ishte e fshehur në një kamioni i cili është ndaluar dhe është vendosur të kalojë për kontroll të imtësishëm në linjën e dytë.

Në skaner është vënë re diçka e dyshimtë, e cila ka rezultuar lëndë narkotike.

Kamioni ka qenë me targa të Maqedonisë së Veriut, po ashtu dhe shoferi i arrestuar N.A., 40 vjeç, banues në shtetin fqinj.

Droga e fshehur në trupin e kamionit, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

NJOFTIMI I POLICISË:

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të trafikimit të drogave të forta.

Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, evidenton dhe sekuestron rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë. 

Arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit me të cilin po transportohej lënda narkotike.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e  trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca  permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësi, në bazë të dyshimeve të krijuara nga  kjo Task Forcë kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion transit me targa të Maqedonisë së Veriut. 

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, shtetasi N. A., 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut..

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon  veprimet hetimore  për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të  tjerë të përfshirë në të.