ROME, 28 mars 2013 – Karabinierët e kuesturës së Romës kanë sekuestruar 410 kg marijuanë dhe u kanë vënë prangat tre të rinjve, dy shqiptarëve 20 vjeçarë dhe një rumuneje 19 vjeçe me akuzën e mbajtjes dhe të shpërndarjes së drogës.
Lëvizjet e tre të rinjve ndiqeshin prej shumë kohësh, e më në fund karabinierët arritën të lokalizonin një garazh që përdorej prej tyre në rrugën Muzio Attendolo. Gjatë kontrollit u zbulua se garazhi ishte një magazinë e mirëfilltë ku mbaheshin të fshehura 314 pako me plot 410 kg marijuanë. Pakot ishin të lagura me naftë për të kamufluar erën e fortë të drogës që mund të tërhiqte vëmendjen e rezidentëve të zonës.
Sipas karabinierëve droga kishte si destinacion zonat e Pignetos dhe të San Lorenzos, dhe do t’u sillte fitime për një milion euro poseduesve të saj.
Pas arrestimit, të rinjtë shqiptarë janë çuar në burgun e Regina Coeli-t ndërsa shtetasja rumune në Rebbibia.





