ITALI, 11 mars 2013 – Gjatë një operacion të policisë italiane mbrëmjen e së dielës janë prangosur 2 shqiptarë, të cilët po transportonin 900 kg marijuanë në Katania. Policia italiane bën të ditur se në pranga kanë përfunduar shtetasit Hysni Hoxha 30-vjeç dhe Ermal Kasaj 26-vjeç.
Mediat italiane raportojnë se Hysni Hoxha nuk ishte i panjohur për forcat e rendit, pasi rezulton person me precedentë penale, për trafik armësh dhe droge. Ndërkohë Kasaj nuk ka qenë i akuzuar më parë.
Nga hetimet paraprake mësohet se një pjesë e drogës, e futur në çanta të mëdha, ndodhej në një furgon, i cili po hynte në një garazh. Së bashku me sasinë e lëndës narokotike policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe armë 2 pistoleta dhe një kallashnikov në garazhin e shqiptarëve.
Droga ishte e ndarë në pako të mëdha dhe një pjesë ndodhej në furgon dhe pjesa tjetër në garazh. Policia italiane ka nisur hetimet për kapjen e autorëve të tjerë që mund të kenë lidhje me këtë sasi të madhe droge, që nëse do të shitej në treg arrin vlerën 1 milion euro.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





