Goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të shumave të konsiderueshme të parave, në pikën e kalimit kufitar në portin e Durrësit. Sekuestrohen 9670 euro dhe 3345 paund, të padeklaruara konform ligjit në fuqi.

Procedohet penalisht 39-vjeçari E.Fejzaj që tentoi t’i nxirrte paratë nga Shqipëria, ilegalisht.

Policia e Durrësit informon se: “Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në vijim të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, shtetasin E. F..

Nga kontrolli fizik, këtij shtetasi iu gjetën 9670 euro dhe 3345 paund që tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar në pikën e kalimit kufitar.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Fejzaj, 39 vjeç, banues në Vlorë, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumat e parave.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.