Policia Kufitare në Durrës godet një tentativë të kontrabandës së mallrave që paguhet akcizë, sekuestrohen 309 steka me paketa cigare, arrestohet në flagrancë shoferi i autobusit në të cilin ishin fshehur cigaret.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave shtesë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjatë kontrollit  në vijën e dytë të autobusëve dhe kamionëve, në autobusin e linjës Maqedoni-Durrës-Bari, me drejtues shtetasin Q.S., kanë konstatuar të fshehura në brendësi të autobusit steka me paketa cigare të llojeve të ndryshme të padeklaruara nga ana e drejtuesit të autobusit.  

Menjëherë është njoftuar Grupi Hetimor, ku gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, Policisë Kufitare dhe shërbimeve doganore, rezultoi se brenda autobusit ishin të fshehura 309 steka me paketa cigare të markave të ndryshme (3090 paketa), kontrabandë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  

Në përfundim të veprimeve të para hetimore Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:

Q.S.,32 vjeç, banues në Gostivar, për veprat penale "Kontrabanda me mallrat që paguhet akcizë" dhe "Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë".

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.