Itali, 31 maj 2014 – Një sasi prej 1.270 kg kanabis është sekuestruar nga policia italiane në një kamion me targa shqiptare në portin e Barit. Super operacioni policore bëri të mundur sekuestrimin e drogës, vlera e së cilës arrin në 13 milion euro.
Karabinierët italianë i kanë bërë një kontroll të imtësishëm kamionit, pasi i ka habitur fakti që trageti me të cilin kishte udhëtuar shoferi i mjetit rezultonte të ishte i ndryshëm me atë me të cilin kishte udhëtuar kamioni.
Pasi e kanë kaluar në skaner, Guardia di Financa e Barit ka zbuluar një fund të dyfishtë në mjet, ku ishin vendosur 1177 pako me kanabis, me peshë totale 1 ton e 270 kg.
Policia italiane ka vënë në pranga shoferin, një 34-vjeçar shqiptar, që akuzohet për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, ndërkohë që ka vënë nën sekuestro kamionin.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





