Policia ka sekuestruar 54.700 euro dhe 1 automjet, të dyshuara të përfituara nga aktivitet i kundërligjshëm.
Burimet zyrtare njoftojnë se është proceduar penalisht poseduesi i tyre, shtetasi Z.Gj., 28 vjeç, për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
NJOFTIMI I POLICISË
Në kuadër të masave të marra për mbajtjen nën kontroll të situatës së rendit në qarkun e Fierit, janë shtuar kontrollet në akset rrugore, si edhe në vendet që frekuentohen nga persona me precedent kriminal.
Si rezultat i kontrolleve, nga shërbimet e patrullës së Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vendin e quajtur “Rotondo e Plygut”, u ndalua mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin Z. Gj.
Gjatë kontrollit, në automjetin e këtij shtetasi u gjetën 54.700 euro të cilat dyshohen se janë përfituar nga aktivitet i kundërligjshëm.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier proceduan penalisht shtetasin:
Z. Gj., 28 vjeç, banues në Laç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e eurove dhe automjeti me të cilën udhëtonte ky shtetas.
Vijon puna për dokumentimin ligjor në lidhje me burimin e të ardhurave të këtij shtetasi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.





