Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar 89 hektarë tokë në zonën e Zvërnecit, me vlerë rreth 110 milionë euro, sipas çmimeve zyrtare, dhe e dyshuar se është përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Raimond Mezi.
Sipas një njoftimi për shtyp nga organi i akuzës, skema e përdorur në këtë rast është realizuar në të njëjtën mënyrë dhe nga të njëjtët persona, të cilët kanë regjistruar në rrugë të paligjshme edhe 220 hektarë truall të sekuestruar tashmë në zonën e Karaburunit.
Në vijim të hetimeve, prokuroria ka kërkuar caktimin e sekuestros preventive mbi këtë sipërfaqe, kërkesë e cila është pranuar nga ana e Gjykatës së Vlorës.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se trualli prej 89 hektarë në zonën e Zvërnecit është regjistruar në Hipotekën e Vlorës përmes dokumenteve të falsifikuara dhe një procesi gjyqësor njohjeje prone tërësisht fiktiv.
Prokuroria thotë se nga aktet hetimore, rezulton se shtetasi Raimond Mezi është njohur me vendim gjyqësor si pronar i sipërfaqes 89 hektarë, në bazë të një vendimi gjyqësor të vitit 2003, dhënë nga gjyqtari Skerdilajd Konomi. Prokuroria e Vlorës e ka konstatuar tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë gjyqtar.





