TIRANE– Skuadra e Antidrogës e Policisë së Tiranës ka goditur një linjë të furnizimit të grupeve të shpërndarjes së marijuanës që vinte nga Kruja.
Dy vëllezër, Fatos dhe Idriz Hidaj, respektivisht 36 dhe 28 vjeç, kanë rënë në pranga pas mesnate duke u gdhirë e shtuna, gjatë një operacioni të zhvilluar në autostradë, në afërsi të Vorës.
Burimet policore raportuan se në automjetin me të cilin lëviznin të arrestuarit janë gjetur dhe sekuestruar 55.1 kilogramë marijuanë, e destinuar për grupet e shpërndarësve të lëndëve narkotike në kryeqytet.
Droga dyshohet të jetë kultivuar dhe përpunuar në zona të thella të Krujës, ndërsa operacioni ka vijuar edhe gjatë paradites me kontrolle në banesat e të arrestuarve.
Këta ta fundit janë marë në pyetje nga oficerët e antidrogës në lidhje me grupet e shpërndarësve të lëndëve narkotike në Tiranë dhe rrjetet e furnizimit të tyre.





