Një sasi e konsiderueshme lënde narkotike është sekuestruar në autobusin e linjës Sarandë – Athinë. Droga është kapur nga pala greke në aksin Kakavije – Janinë në fshatin Kalpak, pasi autobusi kishte kaluar kontrollet doganore.

Autoritetet greke kishin marrë informacione për një rast të mundshëm të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe ndaluan mjetin për verifikim. Gjatë kontrolleve në bagazhet e udhëtarëve, në një çantë u zbuluan 16 pako hashash me peshë totale 97.5 kg. Policia greke arrestoi një 34-vjeçar si posedues i lëndës narkotike.

Atij iu sekuestruan edhe 955 Euro, 2 dollarë amerikanë dhe dy celularë. Hetimet e palës greke vazhdojnë për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.