Një nga hotelet më luksoze në Tiranë, “Xheko Imperial”, ose siç njihet ndryshe në kryeqytet me emrin “Carlsberg”, prej një muaji është sekuestruar nga përmbaruesi privat Edvin Malotaj.

"Shqiptarja.com" raporton se prona me vlerë disa miliona euro, që gjendet pas godinës presidenciale, u bllokua me vendim sekuestrimi të 19 janarit 2016. Godina luksoze, i përket biznesmenit Agron Xheko i cili mësohet se për të ndërtuar objektin ka marrë kredi në disa banka të nivelit të dytë në Shqipëri. Si dorëzanë, Agron Xheko ka futur dhe bashkëshorten e tij Zhaneta Xheko, dhe këtë veprim e ka bërë në kredinë prej 5.5 milionë eurosh që ka marrë në një bankë të nivelit të dytë.

Tashmë është pikërisht kjo bankë, që prej nëntorit 2015 ka nxjerrë një urdhër ekzekutimi kundër biznesmenit Xheko, pasi ka rezultuar se ky i fundit nuk ka arritur të shlyejë këstet mujore, madje kohët e fundit kishte shkëputur marrëdhëniet me bankën, duke lënë pa paguar një diferencë prej disa miliona eurosh.