Një skaf italian është sekuestruar në brigjet e Vlorës. Policia thotë se mjeti lundrues është kapur përgjatë vijës bregdetare Himarë-Gramë gjatë kontrollove për goditjen e rasteve kundër trafikimit të lëndëve narkotike.

Skafi italian kishte një gjatësi prej 9 metrash dhe në të nuk kishte asnjë person në bord.

“Më datë 21.05 2017, Drejtoria Vendore e Policisë Kufitare & Migracionit Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe Njësinë Speciale Delta Force, gjatë kontrollit të territorit ujor dhe tokësor, konkretisht përgjatë vijës bregdetare Himarë-Gramë, kanë bërë të mundur konstatimin e një skafi me flamur italian (pa persona në bord) pranë vendit të quajtur “Gjiri i Gramës”, sqaron policia.

Policia ka bërë bllokimin dhe sekuestrimin e mjetit lundrues tip skaf, me gjatësi 9 m dhe me një motor “Mercruiser 502, me fuqi 500 kf.

Gjatë kontrollit të imtësishëm që i është ushtruar këtij mjeti nuk është konstatuar ndonjë send apo material i kundërligjshëm.

Vazhdojnë kontrollet dhe hetimet e mëtejshme për zbulimin dhe kapjen e autorëve.