Itali, 28 shkurt 2014 – Autoritetet italiane kanë sekuestruar rreth dy ton lëndë narkotike të llojit marijuanë, në një skaf 10 metra të gjatë që mendohet se ishte nisur nga Shqipëria.
Sipas mediave italiane, sasia e drogës së sekuestruar nga Guardia di Finanza në Rimini vinte nga Shqipëria dhe kishte destinacion tregun e shtetit fqinj. Policia arrestoi në flagrancë katër persona, mes të cilëve shtetas 3 shqiptarë dhe 1 rumun, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.
Hetimet e zhvilluara në kuadër të operacionit “100 për qind”, të nisur që prej muajit shtator të vitit të kaluar, çuan policinë italiane në gjurmët e grupit të trafikut të drogës.
Lënda narkotike pritej të shitej për 1000 euro kilogrami, duke arritur në total vlerën e 2 milion eurove.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





