Ish-rivali i Bashës në garën për kryetar të PD-së, Eduard Selami tha sot në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike se ky është statuti më i keq i kësaj partie.

Por menjëherë pas kritikave që ai lëshoi, dhjetra anëtarë të Kuvendit nisën ta fishkëllejnë dhe t'i kërkojnë të largohet nga salla.

PJESË NGA FJALA E SELAMIT:

Edhe në momentet më të vështira kur jemi ndarë me njeri-tjetrin, gjithmonë na kanë bashkuar vlerat e përbashkëta. Ne u bëmë shpresa e të rinjve shqiptarë dhe për të thënë të vërtetën nuk ka krenari më të madhe për ne. PD ishte atëherë promotore e integrimit. Ka një përputhje që kur PD ka qenë parti e vlerave, Shqipëria ka ecur përpara.

PD nuk ka pasur problem statuti. Nga 1995-a ka problem me demokracinë e brendshme, ka problem me respektimin e statutit, jo me statutin. Në dhamë disa premtime të cilat nuk gjenden në projekt statut. Premtimi që ju dhatë që pas asaj fushate pas humbjes, do bënim një analizë të thellë. Janë tre humbje rresht. Që nga 1995-a kemi një rekord shumë të keq, jemi 50%, 2 herë më pak në pushtet se PS-ja. Sepse nuk kemi vepruar si PD. Fatkeqësisht akoma po nxitojmë.

Ky është statuti më i keq që ka pasur PD. U premtua që do votojnë anëtarët se kush do i përfaqësojë në këshillat bashkiakë.

Janë anëtarët e PD që do e votojnë kush do i përfaqësojë në këshill bashkiak, në palrament dhe kjo nuk është në statut, prapë kryetari do i zgjedhi, do jetë lista e kryetarit prapë. Unë e kam thënë…(fishkëllehet)

Selami përgjigjet: Ç’punë ka Rama me statutin mor vlla, do që unë të iki? Unë s’kam ndër mend të iki se në '95-n kërkuat ikjen time dhe vajti ku vajti Shqipëria.