TIRANE- Ish kryetari i partisë demokratike dhe një prej ish themeluesve të saj Eduard Selami i cili prej 15 vitesh jeton tanimë në Shtetet e Bashkuara tha mbrëmë se ai është i gatshëm të rikthehet në radhët e partisë demokratike nëse do të ketë një ftesë për t’u përfshirë në garën elektorale. Në një intervistë në emisionin Opinion në televizionin Klan, ai tha se për këtë kishte patur kontakte edhe me drejtues të PD. Në ndryshim nga qëndrimet e tij kritike në të kaluarën për zhvillimet në vend dhe në partinë demokratike, këtë herë zoti Selami foli me tone pozitive duke vlerësuar arritjet dhe sukseset që sipas tij mund t’I japin partisë demokratike fitoren për një mandate të tretë në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm

 
Ashtu si shumë nga figura të larta të Partisë demokratike që në vite ishin shkëputur prej saj, por u rikthyen në prag të zgjedhjeve të 2005, edhe ish kryetari Eduard Selami deklaron se është I gatshëm ti bashkohet sërish forcës nga e cila u nda në mesin e viteve ‘90 përmes polemikave jo të pakta. “Nëse Partia demokratike do të kërkojë të më kandidojë unë me kënaqësi do t’I përgjigjesha".

Në intervistën e tij në emisionin Opinion zoti Selami u shfaq me një qasje tjetër ndaj partisë demokratike dhe udhëheqjes së saj, ndryshe nga kritikat e tij publike të viteve të fundit kur ai kishte folur për mungesën e demokracisë së brendshme në këtë parti apo kur ishte shprehur për një demokraci jofunksionale në vend: “Mendoj se është një forcë progressive, tërësisht integruese, e cila akoma ka potencial për të kontribuar dhe ka një bilanc mjaft pozitiv në zhvillimin dhe progresin e Shqipërisë”
 
Zoti Selami tha se në zgjedhjet e ardhshme të qershorit partia demokratike ka arsye pse të kërkoj një mandate të tretë. Ndërsa ka vlerësuar se shfaqja në skenë e Frymës së re demokratike të ish presidentit Bamir Topi nuk rrezikon t’I krijojë probleme demokratëve, ai ka vlerësuar pozitivisht aleancën në 2009 me Lëvizjen socialiste për integrim. “Mendoj se i ka shërbyer Shqipërisë sepse ka bërë hapa më progressive në këto atër vjet, dhe ka futur një element të ri në kulturën politike shqiptare. Ka të tjerë që mendojnë se kjo është në kufijtë e pazareve politike, por unë e shikoj si shenjë maturie nga ana e partisë demokratike”

Zoti Selami ka vlerësuar pozitivisht mënyrën se si qeveria e kryeministrit Berisha përballoi krizën ekonomike: “Një nga të mirat e Partisë demokratike është që politika e saj ekonomike, fiskale dhe financiare gjithmonë ka qenë produktive. Eshtë identifikuar me biznesin me ekonominë dhe ka një politikë shumë të suksesshme ekonomike”.

Zoti Selami tha se ai vazhdon të jetë kritik rreth disa zhvillimeve, por tani nuk ishte koha e duhur duke qenë se vendi ëhtë afër zgjedhjeve të ardhshme:“Kur vjen fushata elektorale, nëse unë dukem pak më blu është se unë i përkas PD. Në fushata elektorale, edhe në SHBA e vende të tjera, mbyllet kapitulli i kandidimit brenda, dhe dilet në një formacion. Përderisa ardhja ime ka përkuar me këtë nuk është vendi për kritika”.

Se cili do të jetë fati i ardhshëm i ish kryetarit demokrat, kjo i takon javëve që do të vijnë. Zoti Selami e bëri hapin e tij, Mbetet për t’u parë nëse vetëm kaq mjafton për t’i hapur atij rrugën e rikthimit.