TIRANË-Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami, pritet të jetë kandidat i kësaj partie në zgjedhjet e 23 qershorit.
Burime zyrtare nga selia blu bëjnë të ditur se pas takimeve me krerët më të lartë të maxhorancës, i fundit me kryetarin e Grupit Parlamentar, Astrit Patozi, është rënë dakord parimisht për një angazhim konkret të themeluesit të PD-së në procesin e ardhshëm elektoral. Ndonëse ende nuk flitet për zona, mendohet se Selami mund të jetë një nga kandidatët e koalicionit qeverisës në një prej dy qarqeve më të mëdha, Tiranë ose Elbasan.
Ish-kryetari i PD-së shprehet se ende nuk është arritur asgjë në këtë drejtim dhe gjithçka do të qartësohet në muajt e ardhshëm. Selami tha gjithashtu se, pas një qëndrimi dyjavor në Tiranë, do të largohet të enjten e ardhshme për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Gjatë këtyre ditëve kam takuar të gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike. Nesër (sot) do të takohem me sekretarin e Përgjithshëm Ridvan Bode dhe Presidentin Nishani, ndërsa të enjten kam biletën e kthimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për sa i përket rikthimit tim, gjithçka i mbetet kohës”, është shprehur Selami. Lidhur me rikthimin e ish-kryetarit të PD-së ka folur edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Në një status të postuar në faqen e tij në “Facebook”, ai shprehet se “Dje pasdite takova një mik të vjetër, Eduard Selamin. Më vjen pak çudi me interpretimin që i është bërë në shtyp prezencës së tij në Tiranë. Po interpretohet si një rikthim i Selamit në PD. Në fakt, nëse ndodh, është vetëm një rikthim i Selamit në politikën aktive, sepse nga PD Selami nuk ka ikur. Edi është anëtar i Këshillit Kombëtar, i pranishëm në pothuajse të gjitha fushatat e PD-se. Është anëtar themelues i PD-së dhe ish-kryetar i saj. PD është parti e madhe pikërisht sepse ka nevojë dhe hapësirë për kontributin e të gjithëve”.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Selami u takua me Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Pas këtij takimi, themeluesi i PD-së tha se lideri i maxhorancës shprehu vullnetin për ta mirëpritur atë në selinë blu. “Gjithçka ishte në mirëkuptim. Ishte një takim mes miqsh të vjetër, siç kanë qenë gjithmonë takimet tona. Më është shprehur vullneti se jam i mirëpritur në Partinë Demokratike si gjithmonë. Por nuk u fol asgjë nëse mund të jem kandidat për deputet, sepse kjo nuk është serioze. Ky është një diskutim dhe vendimmarrje e strukturave, dhe unë i respektoj procedurat. As që e mendoja ndryshe dhe jam shumë mirënjohës për kohën që Doktor Berisha gjeti për të më takuar”, tha Selami në përfundim të takimit me Kryeministrin. Por në axhendën e ish-kreut të PD-së nuk ishin vetëm funksionarët aktualë demokratë, por edhe të larguarit. Një prej tyre ishte Besnik Mustafaj, me të cilin Selami u takua dy ditë më parë. “Ishte një takim midis miqsh, pa ndonjë axhendë të përcaktuar. Ishte një takim midis miqsh, siç jam takuar dhe pasdite me drejtues të tjerë të Partisë Demokratike. Janë thjesht takime miqsh dhe nuk kanë nëntekste politike. Kemi shkëmbyer mendime dhe kemi diskutuar si miq të vjetër dhe takimi nuk ka pasur axhendë politike”, u shpreh Selami.