Gjatë një bashkëbisedimi live ne instagram të zhvilluar së fundmi, këngëtarja Selena Gomez iu përgjigj drejtpërdrejt një pyetjeje nga fansat lidhur me vokalin e saj, duke theksuar se nuk ndihet aspak e ofenduar nga kureshtja e tyre.

“Sinqerisht, ndonjëherë thjesht ndodhin gjëra. Trupi im reagon çuditshëm. Fyti më enjtet nga brenda herë pas here, kaq është,” u shpreh ajo, duke treguar qetësi dhe pranim ndaj ndryshimeve që i ka sjellë shëndeti.

Gomez theksoi se i vlerëson fansat për hapjen dhe realitetin që tregojnë me të. Ky moment lidhet drejtpërdrejt me rrugëtimin e saj shëndetësor, të cilin Selena e ka ndarë prej vitesh publikisht.

Selena Gomez (1)

Artistja vuan nga lupus, një sëmundje autoimune kronike që shkakton inflamacion në pjesë të ndryshme të trupit dhe mund të ndikojë edhe tek zëri. Ajo e zbuloi diagnozën për herë të parë në vitin 2015, duke pranuar se kishte kaluar edhe kimioterapi dhe ishte tërhequr për një kohë nga jeta publike për t’u rikthyer më e fortë.

Selena Gomez (3)

Përveç zërit, trajtimet mjekësore kanë ndikuar edhe në peshën e saj, çka e ka bërë shpesh objekt kritikash. Selena ka treguar se komentet për trupin e saj e kanë lënduar, por nuk e kanë thyer. Sot, ajo vazhdon të flasë hapur për jetën, shëndetin dhe sfidat personale, duke theksuar se dëshiron ta tregojë historinë e saj me zërin e vet, ashtu siç është, pa filtra dhe pa justifikime.