Portugali, 13 gusht 2014 – Një çift të martuarish nga Polonia ka gjetur vdekjen pasi ra nga një shkëmb në Portugali. Vdekja tragjike e çiftit erdhi gjatë tentativës së tyre për të bërë ‘selfie’. 

Trupat e tyre u gjetën me vonesë. Për shkak të motit të keq ata ishin tërhequr nga rryma të forta detare të oqeanit Atlantik. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur në Kabo de Roka, një destinacion turistik shumë popullor. 

Ndërkaq, autoritetet portugeze thanë se çifti kishte dy fëmijë, 5 dhe 6 vjeç, të cilët për fat të keq kanë mbetur jetimë pas ngjarjes tragjike. 

Por kjo nuk është hera e parë që një fotografi e thjeshte ‘selfie’ merr jetë njerëzish. Javën e kaluar një 26-vjeçar në Meksikë, teksa po fotografonte veten në një pozë me armë në dorë, e shkrepi atë aksidentalisht dhe humbi jetën. 

Sipas gazetës “Daily Mail”, në Britani numërohen raste të njerëzve të cilët bëjnë seancë trajtimi me psikolog për kurimin nga mania ‘selfie’.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/