2 shtator 2013– Nisja e punimeve parlamentare do ta gjejë Partinë Demo-kratike në zyrat e reja.
Prej disa ditësh po punohet për rikonstruksionin nga brenda të ish-godinës së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë dhe përshtatjen e saj në një seli partie. Por teksa në katin e dytë të ndërtesës është duke u punuar për rregullimin e zyrave të lidershipit të demokratëve, burime brenda PD-së bëjnë të ditur për gazetën se ish-kreu i kësaj partie, Sali Berisha, mund të mos ketë zyrë në këtë godinë. Deri tani, në godinën e re të PD-së nuk është duke u përshtatur asnjë zyrë për ish-themeluesin e kësaj force politike. Në javën e dytë të shtatorit, ai do të lërë zyrtarisht edhe zyrën në Këshillin e Ministrave, ndërkohë që rreth një muaj më parë i la pasardhësit të tij, Lulzim Bashës, zyrën e katit të tretë të godinës së vjetër të Partisë Demokratike. Të njëjtat burime saktësojnë se aktivitetin e tij si deputet dhe anëtar i Grupit Parlamentar të PD-së ai mund ta ushtrojë në një zyrë private, në një prej kullave përballë ndërtesës ku qëndroi për tetë vjet.
Selia e re
Pas rreth një javë punimesh në ish-godinën e SHQUP-it, është duke u përshtatur kati i dytë, ku do të jenë edhe zyrat e krerëve të PD-së. Aktualisht ka përfunduar rikonstruksioni i zyrës së kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, si dhe një prej zyrave ku do të mbahen takimet e zyrtarëve të lartë demokratë. Takimi i parë i mbajtur në selinë e re ishte pikërisht ai i të premtes së kaluar, kur Basha priti ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksander Arvizu. Gjithashtu ka përfunduar rikonstruksioni edhe i korridorit të madh në katin e dytë, ku tri ditë më parë u zhvillua edhe konferenca për shtyp e Bashës me Arvizunë. Ndërsa në katin e parë është duke u përshtatur një prej sallave të mëdha, e cila do të përdoret për mbledhjet e Këshillit Kombëtar. Ndryshime ka pësuar edhe pjesa e jashtme e godinës. Në hyrje të saj është hequr pllakati i Shtabit të Përgjithshëm, ku shkruhej “Reparti Ushtarak 6004” dhe aty pritet të vendoset një tabelë që njofton se është godina e Partisë Demokratike. Gjithashtu në pjesën ballore të ish-SHQUP janë vendosur katër flamurë, ai kombëtar, i Partisë Dem-okratike, i NATO-s dhe i Bashkimit Europian.
Çmontohet PD e vjetër
Ndërkohë që forcat më të mëdha janë përqendruar në rikonstruksionin dhe përshtatjen e zyrave të ish-SHQUP, një grup punëtorësh po punojnë paralelisht edhe për çmontimin e zyrave në godinën e vjetër. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se së fundmi po çmontohet zyra e shtypit, e cila do të përshtatet në ambientet e reja. Me vendim qeverie të një jave më parë, godina e vjetër do t’i kalojë Bashkisë së Tiranës.
Kënd lojërash e kafene para PD-së
Megjithëse me vendim qeverie i ka kaluar PD-së, hyrja në ish- godinën e SHQUP është e lirë për çdo qytetar. Në krahun e majtë dhe të djathtë të selisë vazhdojnë të funksionojnë dy kafene, njëra prej të cilave e kompletuar edhe me një kënd lojërash për fëmijët. Gjatë ditës së djeshme ishte e vështirë të dalloje nëse SHQUP ishte godinë e një force politike, për shkak se ambienti para saj ishte një shesh lojërash për të vegjlit.
http://www.panorama.com.al/2013/09/02/selia-e-re-e-pd-shqup-ne-rikonstruksion-nuk-ka-zyre-per-berishen/





