Java e fundit ka qenë mjaft e veçantë për Gentian Selmanin. Portieri i përfaqësueses shqiptare, pjesë e Menemenspor në zonën e Izmirit në Turqi, kë përjetuar nga afër tërmetin e rrezikshëm që goditi këtë vend. Ai ka folur për këtë situatë, por edhe për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares, si dhe për skuadrën e Laçit, me të cilën vazhdon të jetë shumë i lidhur.

“Falë Zotit jemi mirë, nuk kishim dëme aty ku jetojmë, por normale që u trembëm. Ishte shumë i fortë, ishte 6,6 ballë, nuk patëm dëme dhe humbej jetësh afër këtu te ne. Por pjesa më afër detit ka pasur më shumë dëme dhe njerëz të vdekur, shpresoj që të kalojë sa më shpejt kjo tragjedi se ka ende njerëz në kërkim.Me Domgjonin nuk kishim shqetësim, ishim në klub e u përgatitëm për stërvitje. Vetëm u trembëm se ishte goditje e fortë por nuk pati problem. Nuk ka qënë situatë e mirë.

Kombëtarja? Ndeshjet e Ligës së Kombeve janë të rëndësishme se të ndihmojnë të ngjitesh një grup më lart. Ekipi ka treguar ndeshje të mira, edhe në të fundit ka treguar nivel loje të mirë, ndërsa trajneri ka aktivizuar edhe të rinj. Shpresoj që këto dy ndeshje të kemi rezultat pozitiv, që të marrim tre pikët.

Laçi? Unë jam tifoz i atij ekipi, plus tani kam një shtysë më shumë se kam vëllain Adolfin që luan qendërmbrojtës. Jam i kënaqur një herë që ndalën bojkotin e filluan kampionatin. Laçi ka ekip të mirë, duhet të qëndrojë me këmbë në tokë e të marrë ndeshjet me e radhë. Duke e njohur atmosferën, besoj se presidenti do i mbajë me këmbë në tokë. Shpresoj t’ia arrijnë , tittulli nuk është diçka e pamundur, duke parë edhe situatën në ekipet e tjera. Adolfi nuk është se e ka përmendur fjalën titull, as unë nuk e kam ngacmuar. Këshillat kanë qenë të japin maksimumin në stërvitje, tani fillon kampionati e më pas, kur të kalojnë disa javë, shpallen objektivat”, tha Selmani.