Nga kontakti me vajzat dhe djemtë me të cilët Enertila Beqja ka qënë në shkollë të mesme në Manëz mësohet se 27-vjeçarja vuan nga një sëmundje e shëndetit mendor, për të cilën nuk është kuruar.

Një kushërirë shumë e afërt e vajzës thotë se Enertila ka vuajtur, por e kanë marrë në qafë prindërit, që nuk e kanë kuruar sepse kishin frikë se do e merrte vesh fshati dhe u mbetej në derë.

“Pseudologjia” është sëmundja prej së cilës vuan 27-vjeçarja. Të prekurit nga kjo sëmundje ëndërrojnë të kenë shumë gjëra dhe përpiqen t’i realizojnë pavarësisht kostove.

Sipas shoqeve dhe shokëve të saj të gjimnazit, Enertilës i binte të fikët vazhdimisht kur ishte në shkollë. Ajo gjithmonë ka qëndruar në bankë të fundit. Të gjithë e dinin që ishte e sëmurë. Shkarraviste pa fund librat, fletoret, bankat, muret dhe dërrasën. Më pas i binte të fikët. Asokohe hapi kartelë kur ishte në shkollë, por vajza ka vuajtur faktin se ka qënë në fshat. Prindërit e saj, meqë nëse e kishin vajzë të vetme, nuk e kanë kuruar sepse nuk donin që t’i hapej nami në fshat.

“Në të katër vitet e shkollës së mesme vajzën e kanë toleruar të gjithë mësuesit. E kanë kaluar, sepse e dinin që ishte e sëmurë. Madje edhe në provimet e fundit i ra të fikët dhe ata e kaluan që të mos përsëriste më vitin shkollor. Enertila thotë se është e fejuar me Albano Stafën. Në shkollë të mesme ka dashur një djalë, Albano e kishte emrin. Kjo e dinte, por ai jo. Tani edhe të fejuarin që ajo thotë se e ka është vetëm ëndërr e saj dhe i ka vendosur emrin Albano Stafa. I fejuari nuk është një emër konkret, nuk e di askush kush është, sepse ai është thjesht ëndërrimi i vajzës”,- thotë kushërira.

Dyshimet e kushërirës

Kushërira e saj hedh dyshime edhe më të forta në lidhje me arrestimin e 27-vjeçares.

“Dyshoj se jo gjithçka është si duket. Familja e saj ka një tokë në fund të rrugës dhe aty është thënë që do të ndërtohet një landfill. Punimet kanë nisur pak kohë më parë. Unë nuk e besoj 30-vjeçarin që thotë se nuk e dinte se çfarë po bëjnte. Dushoj se ai e ka ditur shumë mirë atë që ka bërë në tre vjet. Policia dhe prokuroria duhet të hetojnë më shumë sepse dyshoj se e gjithë kjo mund të bëhet për pronën që ka vajza. Prindërit e saj janë të sëmurë, ajo e sëmurë në burg. Por dyshoj fort që e vetme nuk mund ta ketë bërë, sepse mund të ketë qenë njeri tjetër në lojë, dhe mund t’ja kenë lënë në dorë asaj të gjithë këtë skandal”,- tha kushërira e saj e cila punon në një institucion shtetëror.  

K.H.