Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit në Fushën e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë, Mbrojtjes së Bimëve dhe Peshkimit kanë publikuar një urdhër për disa masa mbrojtës endaj sëmundjes së pestë të ruminantëve të vegjël të shfaqur në Greqi. 

Sipas urdhërit caktohet ndalimi i importit, tranzitimit nga i gjithë territori i Republikës së Greqisë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të kafshëve të gjalla të llojit të ruminantë të vegjël dhe ruminantë të vegjël të egër; materialit biologjik dhe embrioneve të pa shoqëruara me test diagnostik PCR të rezultuar negativ i bashkëlidhur certifikata shëndetësore veterinare, të kryer 21 ditë para mbledhjes së tyre; mishit dhe produkteve të mishit të patrajtuar termikisht minimalisht me një temperaturë 70°C për të paktën 30 minuta; qumështit dhe produkteve të qumështit të pa trajtuara termikisht minimalisht me një temperaturë 72°C për 15 sekonda (temperaturë e lartë me pasterizim me kohë të shkurtër HTST) e pa aplikuar 2 herë; miellit të mishit dhe miellit të gjakut, kockat pa dhjam, thundra, kthetra dhe brirë të patrajtuara termikisht minimalisht me një temperaturë 70°C për të paktën 30 minuta.

Po ashtu ndalihet importi i leshit, flokëve të cilët nuk kanë pësuar trajtimet e mëposhtme si larje industriale, e cila konsiston në zhytjen e leshit në një sërë banjash me ii. ujë, sapun dhe hidroksid natriumi (sode) ose hidroksid kaliumi (potasium); depilimi kimik me anë të gëlqeres së shuar ose sulfurit të natriumit; tymosje me formaldehid në një dhomë të mbyllur hermetikisht për të paktën 24 orë; pastrim industrial i cili konsiston në zhytjen e leshit në një detergjent të tretshëm në ujë të mbajtur në 60-70°C; ruajtja e leshit në 4°C për katër muaj, 18°C për katër javë ose 37°C për tetë ditë.lëkurën e papërpunuar dhe lëkurën e ruminantëve të vegjël të pa trajtuar për të paktën 28 ditë me kripë (NaCl) që përmban 2% karbonat natriumi (Na2CO3); trofetë e gjuetisë dhe preparate të destinuara për muze nga ruminantët e vegjël të pa përpunuara, të pa thara plotësisht dhe që kanë gjurmë të lëkurëve, mishit ose tendinave ose janë të pa dezinfektuar në mënyrë adekuate; produktet me origjinë shtazore për përdorim farmaceutik ose kirurgjikal, të kafshëve të llojit ruminantë të vegjël që nuk janë përpunuar për të siguruar shkatërrimin e virusit të Pestës së ruminantëve të vegjël.

Sipas urdhërit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet të informojë rregullisht, brenda 24 orëve Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Drejtorinë e Përgjithshme të Zhvillimit në Fushën e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë, Mbrojtjes së Bimëve dhe Peshkimit për çdo ngarkesë e të gjithë kafshëve të gjalla të llojit të ruminantë të vegjël, ruminantë të vegjël të egër, materialit biologjik, embrioneve, mishit dhe produkteve të mishit, qumështit dhe produkteve të qumështit, miellit të mishit dhe miellit të gjakut, kockat pa dhjam, thundra, kthetra dhe brirë, leshin, flokët, lëkurën e papërpunuar dhe lëkurën e ruminantëve të vegjël, trofetë e gjuetisë dhe preparate të destinuara për muze nga ruminantët e vegjël, produktet me origjinë shtazore për përdorim farmaceutik ose kirurgjikal, të kafshëve të llojit ruminantë të vegjël.