1 maj 2015 – Banorët e një fshati në Kazakistan prej 5 vjetësh vuajnë në mënyrë kolektive nga një sëmundje e çuditshme dhe e tmerrshme njëkohësisht, që u shkakton atyre gjumë që zgjat pa ndërprerë për ditë me radhë.

Tashmë gjendja e banorëve në Kalachi është përkeqësuar dhe ata po përjetojnë simptoma të tjera të çuditshme dhe mjaft shqetësuese, si rritje të dëshirës seksuale, halucinacione te fëmijët, apo probleme me ndryshimin e personalitetit.

“Doktorët u shkrinë gazit dhe infermieret u skuqën nga turpi kur panë burrat tanë. Menjëherë sapo zgjohen nga gjumi disaditor, pasi nisin të ecin, gjëja e parë që duan është seksi, dhe kjo ndjesi iu zgjat të paktën 1 muaj”, tha një banore e fshatit për “Daily Mail”.

Në lidhje me këtë fenomen të rrallë dhe të çuditshëm, shkencëtarët e Universitetit ‘Tomsk Polytechnic’, pas disa viteve kërkimesh dhe testesh, arritën në përfundimin se disa miniera të vjetra uraniumi të epokës sovjetike, që janë të braktisura, mund të ishin shkak i sëmundjes së banorëve, duke qenë se fshati është ndërtuar në afërsi të tyre.

Minierat lënë hapësira nëntokësore të cilat ishin mbushur ngadalë me ujë, i cili gradualisht ka dalë në sipërfaqe duke sjellë me vete sipër xhepa gazi brenda tij.

“Gazi ka një efekt toksik që e shtyn një person në një gjendje ëndrre, çka e bën atë më pas të bjerë në gjumë të thellë”, ka thënë njëri prej ekspertëve.

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/