Laringo tracheit-i, infeksioni viral që preku qindra mijëra shpendë në pularitë e Durrësit manifestohet si një dëmtim serioz i traktit të sipërm respirator. Ajo përhapet kryesisht përmes ajrit. Më herët “DurrësLajm” njoftoi se vetëm në njërën nga pularitë e kontrolluara nga Drejtoria rajonale e AKU-së ishin groposur 175,300 pula të ngrodhura për shkak të kësaj sëmundjeje.

Fatmirësisht, sëmundja në fjalë nuk përbën rrezik për njerëzit.

Sëmundja që bëri kërdinë në 3 pularitë e Durrësit gjatë 15 ditëve të para të muajit mars mund të shfaqet në disa forma:

Forma e rëndë dhe akute: karakterizohet nga një ftohje, ënjtje e kokës dhe vështirësi në frymëmarrje (frymëmarrje me sqep). Mund të shfaqen gjithashtu gulçim, rrjedhje hundësh ose kollitje me gjak ose mukus. Prodhimi i tepërt i mukusit brenda trakesë dhe në rajonin e laringut mund të shkaktojë vdekjen nga mbytja. Shpesh vërehet një rënie e dukshme në vendosjen e vezëve;

Forma më e lehtë dhe subakute: simptomat klinike janë të ngjashme me ato të formës akute, por më të lehta.