Zemra, ky organ kryesisht muskulor, pompon gjak në të gjithë trupin me një shpeshtësi që në kushte qetësie është rreth 60-80 herë/minutë. Gjatë kohës që furnizon të gjitha organet me oksigjenin e domosdoshëm, ajo ndjen nevojën për t’u ushqyer edhe vetë me gjak. Enët e gjakut që ushqejnë vetë zemrën quhen arterie koronare (ose “damarët” në gjuhën popullore).
Bllokimi i këtyre enëve quhet Sëmundje e Arterieve Koronare (SAK).
Në varësi të gradës, tipit dhe vendit të ngushtimit shfaqen edhe simptomat, nga të lehta deri në më të rëndat. Ato mund të provokohen nga një sforcim fizik ose psikik i caktuar dhe në rastet më të rënda shfaqen edhe në kushte qetësie.
Njerëzit e mirëinformuar mund të mbrohen, madje edhe ta parandalojnë krizën e zemrës. Kurse njerëzit e painformuar janë të pambrojtur dhe kanë rrezik më të lartë të humbjes së jetës në rastet e krizës së zemrës.
Disa nga shenjat paralajmëruese për sëmundjet e zemrës janë:
• Dhimbje në mes të gjoksit, shtypje dhe shtrëngim gjoksi që zgjat disa minuta e shoqëruar me gjendje ankthi
• Dhimbje gjoksi që përhapet në shpatulla, qafë, krahë dhe që shtohet gjatë sforcimeve fizike
• Marrje mendsh e shoqëruar me përzierje, gjendje të fikëti dhe dobësie trupore, djersë të ftohta.
Çarja e aortës
Çarja e aortës është një gjendje kërcënuese për jetën, e karakterizuar nga gjakderdhje në brendësi dhe përgjatë mureve të aortës, vazës së gjakut me madhësi më të madhe që del nga zemra.
Çarja e aortës ndodh afërsisht me një shpeshtësi 2 individë në 10000. Mund të prekë këdo, por ndodh më shpesh në meshkuj të moshave 40-70 vjeç.
Shkaqet
Çarja e aortës shpesh ndodh nga një dëmtim në murin e brendshëm të aortës. Kjo zakonisht ndodh në zonën torakale të aortës, por mund të ndodhë në zonën abdominale të saj.
Aorta ka disa degë përgjatë të cilave qarkullon gjaku.
Çarja klasifikohet si tip A dhe B, në varësi se ku fillon dhe ku mbaron demtimi.
Tipi A fillon në pjesën fillestare (ngjitëse) të aortës dhe në mënyrë të veçantë lëviz në një pjesë tjetër të kraharorit.
Tipi B fillon në pjesën e fundit (zbritëse) të aortës dhe lëviz poshtë në abdomen.
Kur gjakderdhja fillon, ajo krijon dy kanale: një në të cilin gjaku ecën dhe tjetri ku gjaku rri në vend dhe grumbullohet. Duke u rritur çarja e aortës, kanali me gjakun e palëvizshëm rritet dhe shtyp degë të tjera të aortës.
Një çarje aorte mund gjithashtu të zgjerojë dhe rrisë një lumen aorte dhe të krijojë aneurizëm të saj.
Shkaku ekzakt është i panjohur, por rreziqet përfshijnë arterosklerozën dhe presionin e lartë të gjakut. Dëmtimet traumatike janë shkaqet më madhore të çarjes së aortës, në mënyrë të veçantë traumat jo penetruese të kraharorit që vijnë sidomos nga aksidentet automobilistike.
Rreziqe të tjera të lidhura me zhvillimin e çarjet të aortës janë:
• Bikuspidia e valvulës të aortës;
• Koarktacioni i aortës;
• Kirurgjia e zemrës;
• Shtatzania;
• Sindroma e Marfan
Simptomat
Simptomat zakonisht fillojnë në mënyrë të papritur, me dhimbje të forta kraharori. Dhimbja mund të ndihet nën brinjë, të përhapet nën dhe përgjatë shpatullës ose në zonën e kurrizit. Në disa raste mund të përhapet në qafë, krah, nofull, dhe deri në ekstremitetet e poshtme.
Zakonisht kur dhimbja përhapet në krah ose në këmbë çarja e aortës përkeqësohet.
Simptoma të tjera mund të jenë: konfuzion, çorientim, ulje të lëvizshmërisë dhe të ndjeshmërisë në pjesë të ndryshme të trupit, marrje mendsh, tharje goje, etje, të fikët, të vjella, zbehje, takikardi, shkurtim dhe vëdhtirësi në frymëmarrje, etj.
Testet dhe ekzaminimet
Ekziston nje diferencë e presionit midis krahut të majtë dhe të djathtë, ose midis gjymtyrëve të sipërme dhe te poshtëme. Mund te kemi një ulje te presionit te gjakut, fryrje të venave te qafës dhe shenja që ngjajnë me një atak kardiak. Mund të shfaqen dhe shenjat e shokut, por me një presion gjaku normal.
Trajtimi
Qëllimi i trajtimit është të parandalohen ndërlikimet.
Tipi A i çarjes kërkon kirurgji, rregullim dhe zëvendësim të zonës së dëmtuar të aortës, tipi B mund të kurohet me mjekim medikamentoz.
Medikamente që ulin presionin e gjakut mund të përshkruhen dhe të jepen në rrugë venoze.
Parandalimi
Trajtimi adekuat dhe kontrolli i aterosklerozës dhe i presionit të lartë të gjakut mund të ulë riskun për disekim të aortës. Medikamente si bllokuesit e receptorëve te angiotenzinës, inhibitorët e ACE dhe beta bllokuesit mund te ulin këtë risk.
Prova ushtrimore – Kryqëzimi ku kalojnë rrugët e diagnostikimit të sëmundjeve kardiovaskulare |
|