2 qershor 2015 – Kreu i FIFA-s Sepp Blater ka dhënë dorëheqjen pak minuta më parë, vetëm pak ditë pasi u rizgjodh për të pestën herë në krye të institucionit më të rëndësishëm në botë për futbollin.
Lajmin e njoftoi vetë Blateri në një konferencë për shtyp në Zyrih, ndërsa bëri të ditur se do të organizojë një konferencë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e kreut të ri.
“Mandati im duket që nuk ka mbështetjen e të gjithëve. Jam shumë i lidhur me FIFA-n dhe interesat e saj janë të rëndësishme për mua dhe kjo është arsyeja që unë kam marrë këtë vendim. Do doja të falënderoja të gjithë ata që më kanë mbështetur gjithmonë në mënyrë konstruktive dhe besnike si president i FIFA-s”, tha Blater.
Dorëheqja vjen pas skandalit korruptiv që ka përfshirë FIFA-n, i cili u shoqërua me arrestimin e 7 zyrtarëve të lartë të qeverisë botërore të futbollit.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/