TIRANË, 10 maj 2013- Axhenda e integrimit europian, duhet të jetë prioritet i fushatës elektorale të partive politike. Përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë Ettore Sequi, ka deklaruar para mediave se shqiptarët e meritojnë Europën. Por ai nuk ofroi të paktën një vit se kur mund të ndodhë.

“Mendoj se shqiptarët e meritojnë Europën dhe Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të realizojë këtë ëndërr të saj. Se kur do të ndodhë se si do të ndodhë, nuk mund ta them. Kjo varet nga angazhimi i të gjithëve. Ajo që shpresoj është që gjatë fushatës elektorale, axhenda e integrimit europian të jetë në krye të të gjithë aktiviteteve të partive politike”, u shpreh ambasadori Sequi.

Këto deklarata, Ambasadori Sequi i bëri gjatë prezantimit të aktiviteteve që Qendra e Informimit të Bashkimit Europian, do të zhvillojë me rastin e javës së Europës.